Futboll

Intriga e fundit, ideohet shkëmbimi mes Dagllas Kostës dhe Dembele

Juventusi është në kërkim të lojtarëve të krahëve për të forcuar organikën në dispozicion të trajnerit Andrea Pirlo. Nëse për krahun e majtë të mbrojtjes indiciet të çojnë te Emerson Palmieri, për krahun e djathtë, por për fazën sulmuese, gjithçka varet nga braziliani Dagllas Kosta.

Ditët e këtij të fundit me fanellën bardhezi duket se kanë përfunduar dhe për momentin ka hipoteza të ndryshme nga Premier Liga për të. Braziliani ka frenuar në një farë mënyre edhe merkaton në hyrje të Juventusit, që nuk e ka fshehur kurrë interesimin për Federiko Kiezën, objektivi i parë i Paratiçit. El Sharaui është më i lehtë për t’u arritur, sepse është i lirë, por emri i ri që ka dalë në skenë, sipas “Sportmediaset”, është ai i francezit Osman Dembele.

Osman Dembele, sulmuesi francez i Barcelonës. Gazeta Si, 24 shtator 2020

Lojtari i Barcelonës, i marrë nga Borusia Dortmund në gusht të 2017-ës, ka zhgënjyer me fanellën katalanase. Ai ka pasur ulje-ngritje të forta dhe dëmtime të shpeshta, që e kanë kushtëzuar paraqitjen e tij me Barcelonën. Për momentin, në klubin bardhezi ka një ide shkëmbimi me Dagllas Kostën, edhe ky një futbollist me shumë potencial, por i frenuar nga problemet fizike që kanë penalizuar ecurinë e tij me Juventusin.

Me sa duket, drejtuesit e Barcelonës dhe Juventusit kanë biseduar për këtë shkëmbim të mundshëm gjatë kohës së tratativave Pjaniç-Artur, por tani kjo çështje është kthyer në vëmendje. Një ndryshim i mundshëm i ambientit mund të ndikonte në rigjenerimin e të dy lojtarëve dhe mund t’u bënte punë trajnerëve Pirlo dhe Koeman.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë