Interviste

Strategu ushtarak izraelit Eitan Shamir: Si do të mbahet nën kontroll Gaza pas mposhtjes së Hamasit

Nga Harry Lambert- Eitan Shamir është drejtor i qendrës “Begin-Sadat” për studime strategjike në Universitetin Bar-Ilan në Ramat Gan, 20 minuta me makinë në lindje të Tel Avivit.

Në fillimin e viteve 2010, ai drejtoi departamentin e doktrinës së sigurisë kombëtare në Ministrinë e Çështjeve Strategjike të Izraelit dhe është bashkautor, bashkë me Edward Luttwak i librit “Arti i Inovacionit Ushtarak: Leksione nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit” (2023)”.

Në bisedën që zhvilluam bashkë, Shamir shpjegoi arsyet pse sulmi i Hamasit e kapi të papërgatitur Izraelin, cila është strategjia e IDF-së(Forcat Mbrojtëse të Izraelit) në Gaza dhe çfarë mund të ndodhë në vazhdim.

Pse u kap i papërgatitur Izraeli më 7 tetor?

Problemi ishte se gardhi i sigurisë përreth Gazës, ishte ideal për një sulm terrorist:6 njerëz këtu, 10 njerëz atje, ndoshta 50 nga drejtime të ndryshme. Ky ishte skenari më ekstrem që po mendonin planifikuesit. Pra jo një brigadë e plotë; dhe jo 1500 njerëz. Dhe Hamas ishte edhe me fat. Kështu, kamerat në balonat vëzhguese duhej të riparoheshin, dhe askush nuk mendoi se ishte diçka urgjente.

Por siç na tha kohët e fundit bashkautori në librin tuaj të ri Edward Luttwak “strategët  ushtarakë nuk supozohet të jenë optimistë”...

Në Gaza situata ishte shumë e qetë për një kohë të gjatë. Kishte një presion për të mos thirrur nën armë batalionet rezervë, sepse kushtonin shumë para. IDF mori 2 batalione dhe i zhvendosi në Bregun Perëndimor. Në kufi me Gazën trupat ishin reduktuar me 2/3 sepse ishte festa e Shabatit.

Forcat ajrore atje kishin në dispozicion vetëm 2 helikopterë Apache. Kur kam qenë ushtar i thjeshtë në vitet 1980 ne ishim vazhdimisht në gatishmëri. Sot mendoj se kemi rënë pre e iluzionit se të gjitha sistemet elektronike dhe pajisjet, kamerat dhe mitralozat automatikë të telekomanduar mund të ofrojnë siguri.

Por ku ishte IDF në orët e para pas sulmit masiv? Pse iu desh aq shumë kohë që të reagonte?

Ishte një kaos i plotë. Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Hamasi çau kufirin për 15 minuta. Vendi i parë ku sulmuan ishte qendra komanduese e shtabit të divizionit të Gazës. Brenda një çerek ore helikopterë izraelitë nisën të kundërpërgjigjen. Por terroristët kishin raketa ‘Strela’. Ata qëlluan dhe rrëzuan njërin prej tyre.

A duhej që IDF të kishte hyrë në Gaza pa bombarduar?

Në vitin 2014 Izraeli depërtoi 3-5 kilometra brenda Gazës për të gjetur dhe shkatërruar tunelet e Hamasit. Pas atij momenti, ushtria u tërhoq. Asnjë qeveri izraelite nuk ka dashur që të hyjë në Gaza. Por pas sulmit të fundmit, ndjemë se ramë në një kurth. Dhe e dimë se kostoja do të jetë e lartë në jetë njerëzish dhe para.

Sigurisht, kostoja për palestinezët do të jetë më e lartë se e jona. Ne do ta humbasim mbështetjen e opinionit publik ndërkombëtar. Për ta shmangur këtë u bë gjithçka. Por tani që  pësuam një sulm kaq të tmerrshëm, Izraeli duhet të bëjë diçka për të parandaluar një gjë të ngjashme në të ardhmen.

Cila është strategjia e pushtimit aktual të Gazës nga trupat izraelite?

Unë mendoj se strategjia është ta shtrydhim dalëngadalë prenë. Tamam si pitoni me gjahun e tij. Pra në fillim do të rrethohet qyteti i Gazës, dhe më pas do të “shtrydhet” gjatë gjithë kohës. Kjo qasje ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Por unë mendoj se është zgjedhur kjo mënyrë për të minimizuar viktimat, dhe dhënë kohë Hamasit për të liruar pengjet.

Çfarë do të bëjë më pas Izraeli pasi ta kontrollojë si veriun ashtu edhe jugun e Gazës?

Unë nuk mendoj se duhet ndonjë operacion i madh edhe në jug, pasi Hamasi do të jetë shumë më i dobët. Fuqia e tij është e përqendruar në kryeqytet, në veri. Prandaj duhet të shohim se çfarë do të arrijmë në Gazën Veriore.

Sapo Izraeli të arrijë ta çlirojë Gazën nga ekstremistët, si mund ta parandaloni rilindjen e Hamasit dhe të ideologjisë së tij radikale?

Nuk mendoj se Izraeli dëshiron ta pushtojë Gazën. Hamasi, ashtu si ISIS dhe Al-Kaeda nuk do të zhduket për fare. Ideologjia e saj ka rrënjë të thella. Ai është vetëm një degë e Vëllazërisë Myslimane, e cila është e përhapur në rajon. Por ne duhet të sigurohemi që Hamasi të mos e kontrollojë më Gazën.

Dhe kjo do të thotë se duhet të kontrollojmë edhe shkollat ​atje, sepse ajo që po studiojnë fëmijët në Gaza tani është: hebrenjtë janë Djalli, dhe sa herë që takoni një hebre, duhet ta vrisni atë. Ky është indoktrinimi. Prandaj duhet të rivendosim nën kontroll kurrikulën shkollore, duhet të kontrollojmë gjithçka, përfshirë median.

Pra ju po e përshkruani Izraelin si autoritet në Gaza?

Unë nuk e di se sa kohë do të duhet të qëndrojë Izraeli atje. Në parim, objektivi izraelit do të jetë largimi sa më shpejt që të jetë e mundur nga Gaza. Dhe mendoj se e mënyra e vetme që të ndodhë kjo është çuarja e një misioni trupash ndërkombëtare.

Ne duhet të angazhohemi në procesin e ndërtimit të kombit palestinez, dhe për këtë po shkruhen plane konkrete. Kjo duhet të ndodhë në përputhje me normalizimin e raporteve midis nesh dhe sauditëve. Në Riad, do të jenë të interesuar të tregojnë se botës po i ndihmojnë palestinezët.

Sauditët dhe vendet e tjera të Gjirit, duhet të investojnë shumë para për çmontimin e kampeve të refugjatëve dhe rindërtimin e Gazës. Ideja e presidentit amerikan Joe Biden për të ndërtuar një linjë hekurudhore nga India deri në Arabinë Saudite, është e mirë sepse një pjesë e saj do të kalojë në Gaza.

Ju jeni optimistë për përfshirjen e shteteve të Gjirit, por reagimi i tyre fillestar ishte shumë mbështetës për kauzën palestineze...

Ata mezi presim që ne ta shtypim Hamasin, madje po luten për këtë gjë. Ata kanë më shumë frikë se vetë ne izraelitët, se Izraeli do të humbë shansin për ta bërë këtë. Sepse në lojë është e gjithë struktura rajonale. Në njërën anë janë shtetet e Gjirit, me në krye sauditët, që nënshkruan Marrëveshjen e Abrahamit (një marrëveshje mbi normalizimin e raporteve diplomatike midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit) dhe nga anë tjetër është Iranin dhe përfaqësuesit e tij - Huthit në Jemen, Siria, Libani dhe Hezbollahu.

Midis tyre qëndron Katari, që po përpiqet të luajë me të gjithë. Mbretëresha Rania e Jordanisë mund të flasë në publik për mjerimin e palestinezëve dhe gënjeshtrat e Izraelit. Por pastaj kur shkon te çezma e saj në pallatin e saj dhe lan fytyrën, e bën këtë me ujin izraelit që ne po ia ofrojmë ne.

Dhe ajo e di shumë mirë që siguria e vendit të saj po garantohet, vetëm sepse ka në krah SHBA-në dhe Izraelin. Përndryshe, ai vend do të drejtohej plotësisht nga ekstremistët. E njëjta gjë vlen edhe për Egjiptin. Ai mezi pret të përfundojë lufta që të vazhdojë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me ne.

Çfarë mendoni për marshimet pro Palestinës që po shohim në të gjithë Perëndimin, përfshirë atë në Londër fundjavën e kaluar?

Nuk besoj se ato pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjen e publikut të gjerë. Nga ana tjetër unë pyes:Ku ishin gjithë këta njerëz, kur Bashar Al-Assad po vriste gjysmë milioni sirianë dhe po dëbonte 6 milionë të tjerë? Ju bisedoni me këta njerëz dhe u thoni “Në rregull, është e drejtë të shqetësoheni për të drejtat e Palestinës. Por a mund të dënoni vrasjen e atyre fëmijëve, grave dhe familjeve të pafajshëm?”.

Dhe ata ju përgjigjen “Jo, sepse është faji i tyre, sepse ata janë kolonialistë të bardhë apo hebrenj që ushtrojnë aparteid, ndaj është faji i tyre”. Dhe atëherë ju e kuptoni natyrën e vërtetë të këtyre njerëzve.

Marrë me shkurtime nga “New Statesman”/Përshtati Gazeta Si

Harry Lambert është shkrimtar dhe redaktor i stafit në New Statesman*


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë