Rend dhe Ligj

Intervista ‘sekrete’ për SPAK, 22 kandidatë për 15 vende

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi këtë të hënë intervistat me kandidatët që janë në garë për t’u bërë pjesë e prokurorisë së posaçme antikorrupsion, pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, njohur shkurtimisht si SPAK.

Intervistat nisën me katër kandidatët e parë nga 22 emrat që janë në listën e KLP-së. Altin Dumani, drejtues në Prokurorinë e Apelit për Krimet e Rënda, Anton Martini, prokuror në po të njëjtën prokurori, Arben Kraja, prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Anita Jella, kryeprokurore në Prokurorinë e Durrësit.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi tha në një deklaratë për mediat se çdo intervistë regjistrohet si audio ashtu edhe video, si një garanci për t’u përdorur në rast se kandidatët kanë ankesa në lidhje me procesin e konkurrimit për prokurorë të strukturës së posaçme antikorrupsion.

Regjistrimet do të bëhen publike, por detajet nga këto intervista do të mbahen sekret, pasi gjatë intervistimit, kandidatët do të pyeten për çështje konkrete që kanë hetuar me emra konkretë të pandehurish dhe personash të dënuar.

“Intervistat janë regjistruar në audio dhe video, sepse ndonjë kandidat mund të ankimojë vendimin tonë. Kur të kemi gati relacionet për çdo kandidat, regjistrimet do bëhen në formë publike", sqaroi kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.

I gjithë procesi i intervistimit të 22 kandidatëve pritet që të përmbyllet brenda datës 12 korrik, për të kaluar më pas në fazën tjetër që do të jetë ajo e vlerësimit të emrave të përshtatshëm, që do të jenë pjesë e prokurorisë së re.

Sipas vendimit të marrë nga KLP në kuadër të reformës zgjedhore, prokuroria e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të përbëhet fillimisht nga 15 prokurorë. Kjo do të thotë se nga 22 prokurorët në garë, mes të cilëve janë edhe emra si Besim Hajdarmataj, Donika Prela, Vladimir Mara dhe Elisabeta Imeraj, shtatë do të mbeten jashtë kësaj strukture.

KLP thotë se gjatë procesit të intervistimit dhe të vlerësimit të kandidaturave monitorohet dhe këshillohet ngushtësisht me përfaqësuesit ndërkombëtarë, pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Prokuroria Speciale është njëra prej hallkave të SPAK. Hallka tjetër është Gjykata Speciale. Edhe për këtë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka njoftuar prej pak kohësh Kuvendin për shfaqje interesi nga 22 gjyqtarë nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Krimeve të Rënda.

“Shënjestra” e SPAK do të jetë hetimi, gjykimi dhe sipas rasteve ndëshkimi i ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të lartë të përfshirë në dosje korruptive në Shqipëri që prej viteve ’90.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë