Futboll

Intervista/ Indrit Tuci: Jam gati për hapin e madh, në Kroaci ka vetëm vlerësim për Shqipërinë

Fatjon Rupi – Kroacia është një nga trampolinat më të mira për futbollistët shqiptarë. Mjafton të përmendim rastet e Myrto Uzunit, Amir Rrahmanit, Ardian Ismajlit, të cilët kanë spikatur në futbollin kroat dhe pastaj kanë shkuar deri në Serinë A.

Talenti i radhës në këto gjurmë pritet të jetë Indrit Tuci, ish-sulmuesi i Kombëtares U-21. Ai ka profilin tipik të qendërsulmuesit potent, si Cikalleshi e Daku. Rasti i tij është më i ngjashëm me atë të Uzunit, sepse luan tek e njëjta skuadër kroate, Lokomotiva e Zagrebit, një shtëpi e dytë për lojtarët shqiptarë.

Tuci feston nje gol ne Kroaci

Tuci po kalon një formë shumë të mirë këtë sezon, ka shënuar deri tani 6 gola dhe disa prej tyre ndaj skuadrave më me emër në Kroaci, si Dinamo e Zagrebit dhe Rijeka e Osijeku. Në një intervistë për Gazeta Si, sulmuesi me parametra fizikë për t’u admiruar, thotë se është gati të bëjë hapin e madh në karrierë, për të kaluar në një kampionat europian më të fortë.

Ai flet edhe për Kombëtaren dhe opinionin e kroatëve për të, pasi jemi në të njëjtin grup në Euro 2024. Ka zëra se 23-vjeçari do të jetë i ftuari i radhës nga Silvinjo, por Tuci pohon se deri tani nuk ka asnjë kontakt kuqezi për të.

Indrit, a është ky sezoni më i mirë për ju në Kroaci, me 6 gola deri tani?
Ka edhe shumë ndeshje për t’u mbyllur sezoni, jemi akoma në gjysmën e tij. Deri tani mund të them se më ka ecur mirë, por nuk dua të ndalem me kaq. Dua të shënoj sa më shumë dhe të tregoj veten që mundem më shumë. Detyra e sulmuesit kjo është, të shënojë sa më shumë.

Tuci gjate nje ndeshjeje ne kampionatin kroat

Ndoshta ka ardhur momenti për të bërë një lëvizje të rëndësishme në karrierë, duke ndërruar kampionat, apo për të kaluar te Dinamo Zagreb?
Besoj që ka ardhur momenti, por nuk fokusohem shumë tek ajo pjesë. Jam i fokusuar te fusha, dua të jap maksimumin në çdo ndeshje që luaj dhe dua t’i kem statistikat e duhura për një lëvizje të rëndësishme në karrierë.

Keni pasur ndonjë kontakt deri tani nga stafi i Kombëtares shqiptare për një grumbullim të mundshëm?
Jo, nuk kam pasur ndonjë kontakt. Por jam i sigurt që stafi i Kombëtares i ndjek të gjithë lojtarët shqiptarë kudo që luajnë, si ata që kanë qenë pjesë e grumbullimit, ashtu edhe ata që nuk kanë qenë pjesë deri tani dhe që mund të thirren në të ardhmen.

Si e vlerësoni ecurinë e Shqipërisë në eliminatoret e fundit, ku ajo siguroi kualifikimin në Europian?
E kam ndjekur patjetër dhe mund te them që më ka pëlqyer shumë loja që stafi ka imponuar te lojtarët. Këtë e tregojnë shumë qartë rezultatet, që mendoj se i kemi merituar. E kemi merituar po ashtu plotësisht që të shkojmë në Europianin e Gjermanisë.

Si po e komentojnë në Kroaci grupin me Shqipërinë, çfarë opinion ka aty për skuadrën tonë?
Të gjithë e dimë se sa e fortë është Kroacia në kompeticionet ndërkombëtare. Ka një skuadër të fortë, por kam parë që këtu të gjithë kanë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë. Të gjithë flasin se nuk duhet të na nënvlersojnë, sepse e dinë që kemi një ekip të fortë.

Ku do të donit ta vazhdonit karrierën, në cilin kampionat?
Do të doja një klub, që lufton për titullin kampion në kampionatin e vet dhe që luan në kompeticione europiane. Mendoj se kështu do të kem mundësinë për t’u rritur si lojtar dhe për të konkuruar për Europianin.

Cilin profil sulmuesi pëlqeni më shumë, cili është modeli juaj?
Nuk është se kam ndonjë model që ndjek, por do të veçoja Edin Xhekon si lojtarin që më pëlqen shumë si sulmues.

Tuci me fanellen e Shpresave

Nga lojtarët e Kombëtares, kush ju ka pëlqyer më shumë, kush ju ka impresionuar?
Më ka pëlqyer më shumë Ylber Ramadani në mesfushë. Ai e ka ndihmuar shumë ekipin me paraqitjet e tij gjatë gjithë kualifikueseve. Por edhe Ismajli dhe Gjimshiti mendoj se kanë bërë shumë mire në mbrojtje.

A je gati të sfidosh sulmues, si Cikalleshi, Daku apo Çuni?
Konkurrenca në sulmin e Kombëtares bën vetëm mirë, sepse shtyn çdo lojtar të japë maksimumin për të zënë vendin në formacion. Pastaj çdo sulmues ka cilësitë e tij dhe në fund është trajneri ai që vendos kush i përshtatet më shumë lojës që kërkon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë