Politike

Interpelanca, Lleshaj: Grabitja në Rinas, jo apokaliptike dhe cenim i sigurisë


Super grabitja brenda aeroportit ndërkombëtar të Rinasit ndodhur më 9 prill nuk cilësohet nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj si një cenim i sigurisë kombëtare. Kështu deklaroi ai në Parlament gjatë interpelancës së thirrur nga dy deputetët e opozitës, Ralf Gjoni i LSI-së dhe Myslym Murrizi i PD-së. Për numrin një të këtij dikasteri, policia nuk ka përgjegjësi për ngjarjen e ndodhur dhe se të gjithë fajin e ka ligji i miratuar nga qeveria e asaj kohe, e cila në vitin 2004 ku i dha me koncesion e Rinasin, TIA-s, ku dhe klauzolat e marrëveshjes përcaktojnë se siguria brenda perimetrit të të vetmit aeroport në Shqipëri është përgjegjësi e kompanisë private ICTS.
“Ngjarja është e rëndë. Pasi është episod i rëndë i përsëritur. Ka pasur gatishmëri për të ndërtuar dhe prodhuar skenarë apokaliptikë se çfarë gjëje mund ti kishte ndodhur funksionarëve që përdorën avionin… nëse do të ishte rrëmbyer avioni.. nëse.. Imagjinata është e lirë, por këto janë bërë se si mund të nxihet më shumë realiteti këto janë legjitime, por nuk na çon askund dhe nuk ka çon në nxjerrjen e përgjegjësive dhe për të vepruar që në të ardhmen të mos përsëriten ngjarje të tilla. Kjo nuk është një ngjarje apokaliptike që cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Të nderuar qytetarë siguria kombëtare nuk mund të cenohet nga një grup 5 vetash që cenojnë sigurinë në aeroport”, deklaroi Lleshaj gjatë fjalës së tij në Parlament.
Supergrabitjen në vlerë e mbi 5 milionë eurove, Lleshaj e ka cilësuar si një episod i përsëritur, duke nënkuptuar se ajo mund të ketë të njëjtën organizator që realizoi edhe katër vjedhjet e mëparshme të ndodhura në vite, ku një prej tyre ndodhi po brenda pistës së aeroportit të Rinasit në 2016-ën.


Ministri përsëriti edhe një herë në Parlament se për ngjarjen u informuan në rrugë të treta dhe se koncesionari apo kompania e sigurisë njoftoi me 5 minuta vonesë, ndërsa ngriti akuzat se forcat e policisë nuk u lejuan që të futeshin brenda aeroportit, pasi dyert nuk u hapën nga ICTS-ja.
“Ngjarja ka ndodhur në orën 9 prill 14:45, 5 persona të armatosur kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash dhe janë larguar drejt Tapizës. Ngjarja është shumë e njohur, por është një seri dështimesh të disa hallkave. Me një ligj të miratuar në këtë vend, përgjegjësia i është transferuar një kontraktorit privat, po të isha unë në Parlament nuk do të isha dakord, por ky vendimi është marrë në këtë Kuvend dhe është pranuar 15 vite me radhë dhe askush nuk e ka atakuar asnjëherë faktin bazë që kjo çështje e sigurisë është transferuar në duar private. Operatori privat ka njoftuat 5 min dhe 21 sekonda me vonesë policinë, e cila e kishte marrë informacionin në rrugë të treta, TIA ka njoftuar Autoritetin e Aviacionit Civil për ngjarjen 30 minuta pasi ka ndodhur. Kontraktori privat nuk ka lejuar të futet brenda policinë, se porta përkatëse nuk është hapur nga kompania e sigurisë së aeroportit. Nga gjithë kjo seri sulmesh, më 14/2/2017 u realizuar operacioni ‘Patriot’, u zbardhën dy ngjarje u identifikuan 9 përgjegjës prej të cilëve 4 pre tyre u arrestuan”, theksoi Lleshaj.

Autorët e grabitjes në Rinas, duke hapur portën që i çoi drejt pistës së aeroportit


Ministri zbuloi se autorët e grabitjes dogjën një makinë të ngjashme me atë ishte kamufluar si “Hetimi Tatimor” për të shpërqendruar vëmendjen e policisë dhe se ata u fshehën në tunelet e Tapizës, së bashku me vlerat monetare të grabitura.
Më pas ministri renditi problemet që janë konstatuar me koncensionarin, duke theksuar se janë 12 letërkëmbime mes Policisë dhe Koncensonarit dhe se siguria ka qenë objekt i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga Presidenti i vendit.


“Rrethimi s'ka dyer të sigurta, kamerat jo funksionale, zona e tranzitit ka probleme, 12 probleme të mëdha në cilësinë e shërbimit, kamera jo funksionale, nuk funksionojnë sensorët e dyerve të rrethimit, probleme me ndriçimin e pistës. Pas ngjarjes, janë marrë disa masa të rëndësishme, kemi marrë drejtimin e kësaj kompanie sigurisë, që ka humbur besueshmërinë tonë. Janë marrë masa për forcimin e patrullimit, policia ka marrë kontrollin edhe brenda aeroportit. Gjithashtu kemi akses dhe në dhomën e kamerave në Rinas që dikur nuk kishim. Perimetri i jashtëm është vendosur nën ruajtjen e FA, pasi ky aeroport përdoret edhe për qëllime ushtarake. Ka reaguar pa pasur asnjë njoftim, e ka marrë njoftimin nga rrugë të treta”, theksoi Lleshaj.


Sa i përket hetimeve, ai premtoi se shumë shpejt do të të ketë të reja. . “Ka pasur një përplasje me armë, ku ka mbetur një viktimë. Ka qenë një krim i organizuar mirë. Ngjarja është në hetim, kemi siguruar prova të rëndësishme që japin shpresë të madhe për sukses në hetimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Besohet se është një ngjarje me të njëjtët autorë si të kaluarën. Kemi të bëjmë me grabitje me autorë profesionistë, që më herët kanë shpërthyer një burg të sigurisë së lartë në një vend të BE (Greqia). Është hera e parë që kemi një sukses fillestar. Garantoj qytetarët se siguria është e garantuar. Me masat e marrë është garantuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Gjëja e vetme që e ndryshon këtë episod është reagimi i policisë, por policia ka reaguar madje shumë shpejt”, tha Lleshaj.


Më tej ai theksoi se ICTS, deri më sot nuk është licencuar nga policia e shtetit, por nga Autoriteti i Aviacionit Civil, dhe masat do të merren është që kjo kompani të licencohet nga Policia e Shtetit.
Deputeti i PD-së, Myslym Murrizi kundërshtoi qëndrimin e ministrit, duke deklaruar se përgjegjësia i takon qeverisë dhe dikasterit që Lleshaj drejton, pasi kjo është përcaktuar sipas Strategjisë së Sigurisë Kombëtare dhe sipas tij, Policia është përgjegjëse edhe për zonën brenda perimetrit të aeroportit të Rinasit dhe jashtë tij.

Deputeti i PD-së, Myslym Murrizi


“Unë dyshoj se grabitja ka pasur informator nga brenda, i gjithë procesi ka ndodhur në 2 minuta e 49 sekonda. FNSH ka qenë rastësisht atje, për të marrë disa persona të deportuar, por kompania nuk e hapi derën. Ju keni arrestuar fukarenjtë, po këta pse nuk i arrestuan? Kompania tallet me shtetin. Ato para që janë vjedhur a janë brenda vendit apo kanë ikur? Ju si ministër duhet të mbani përgjegjësi për atë që ka ndodhur. Çfarë informacioni keni për kompaninë ICTS, çfarë është kjo kompani dhe si i merr njerëzit në punë dhe a keni database për këta punonjës, pasi mund të kenë të shkuar kriminale? Nëse mendoni se e keqja është koncesioni, ejani silleni në Kuvend ta anulojmë. Unë kërkoj që ju, së pari atë të Rinasit ta bëni komisariat”, theksoi Murrizi. Deputeti demokrat bëri të ditur se edhe kompanitë private të sigurisë që transportin paratë kanë shkelur protokollin, pasi duhet të ishin larguar në momentin kur avioni duhet të ishte ngritur nga pista e Rinasit, duke shtuar se RENEA ishte rastësisht në momentin e grabitjes, pasi ndodhej për të marrë disa të ekstraduar që kishin ardhur si të depërtuar me çarter në Shqipëri .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë