Politike

Alibeaj: 110 deputetë nxorën të korruptuarit nga burgu. Manja: Përfituan vetëm 8 të dënuar nga GJKKO, asnjë zyrtar i lartë (emrat)

Në një interpelancë të thirrur nga deputeti Enkelejd Alibeaj për amnistinë penale, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi të enjten në Kuvend se asnjë zyrtar i lartë i korruptuar që është dënuar nga GJKKO nuk përfitoi nga amnistia. Sipas Manjës, janë vetëm 8 të dënuar nga GJKKO që janë amnistuar, sipas tij, asnjë prej tyre simbol i korrupsionit

“Kjo interpelancë nuk ka asgjë urgjente. Nuk ka asgjë urgjente, është një ligj që u votua në Kuvend... Amnistia është kompetencë e Kuvendit dhe jo KM, aq më pak e ministrit. Ministri mban përgjegjësi politike për draftin, por jo për ligjin që voton Kuvendi në sovranitet të plotë.

Nuk kam mashtruar askënd, por kam shprehur publikisht qëndrimin e qeverisë, për të mos amnistuar asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion. Ata që kanë përfituar me ulje dënimi të dënuar nga GJKKO, për veprat penale shkelje e barazisë në tenderë, janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës, që do i pasqyroj me emra, janë vetëm 8 dhe asnjë prej tyre nuk është simbol i korrupsionit. Ndryshimet janë diskutuar në komisione, edhe amendamenti i Bardhit ka marrë dakordësinë e ministrisë, janë bërë diskutimet në Komisione dhe 116 deputetë dhanë votën pro kësaj amnistie. Nëse doni mendimin tim si Ulsi Manja, po kjo amnisti në raport me nevojat dhe garantimin e standardeve, kjo amnisti është e butë. Do duhej të ishte më e gjerë se çfarë ishte. Sot që flasim edhe pse është zbatuar, janë 4918 të paraburgosur dhe të dënuar”, tha Manja.

Më herët, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, iu referua medias kur tha se janë mbi 100 të dënuar për korrupsion që u amnistuan  

“Mediat kanë raportuar sipas informacionit të marrë nga SPAK, mbi 100 të dënuar për korrupsion u amnistuan. Një ligj i gatuar në errësirën e natës, në shkelje të procedurës parlamentare, me shpejtësi, pjellë e një pazari transversal të pamoralshëm politik, nxori nga burgu apo uli dënimin e mbi 100 të dënuarve për korrupsion (e me gjasë të tjerë do vijojnë të përfitojnë ditët në vazhdim).

Mbi 110 deputetë u bënë bashkë për të nxjerrë të korruptuarit nga burgu.

Ajo që publiku është i interesuar të dijë është se përzë janë liruar të dënuarit nga GJKKO. Cilët ishin propozuesit. A u konsultuan ndryshimet me institucionet e drejtësisë? Akoma nuk keni publikuar listën e përfituesve. Sa ishte numri i përfituesve nga të dënuarit e GJKKO. S’dua ta bëj një lojë të neveritshme shifrat, por arsyet e vërteta të miratimit të amendamenteve natën janë politike. Dihet mirë se cilat janë mesazhet që nëpërmjet kësaj amnistie ju dërguan publikut shqiptar”, tha Alibeaj

Lista e emrave të 8 zyrtarëve që përfituan sipas Ulsi Manjes:

Edmond Z. I, i janë falur 13 ditë

Marginglen M. I dënuar shkelje të barazisë së tenderave i janë falur 5 muaj

Marvin M, i dënuar 2 vite,  i janë falur 9 muaj

Admir B, i janë falur 3 muaj e 25

Eduard. R, është dënuar me 3 vite e 6, i është falur 1 vit burg

Hamza. T, i  dënuar me 1 vit, i janë falur 4 muaj

Ubrahim G, i dënuar 8 muaj, i janë falur 26 ditë

Erion.b,  i janë falur 14 ditë

Lulzim Ç, është dënuar për ushtrim të ndikimi të paligjshme 1 muaj e 8 ditë

(Ulsi Manja: Këto të 8 në 20 përfituesit me ulje dënimi, kanë qenë për një nga veprat që listova. Të tjerët janë dënuar nga GJKKO por kanë përfituar për vepra të tjera)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë