Futboll

Interi shton shqiptarët, firmos me 17-vjeçarin Kristian Dervishi

Një tjetër lojtar shqiptar është zyrtarisht pjesë e Interit. Pas Ramen Çepeles, i grumbulluar nga trajneri Edi Reja në ndeshjet e fundit, klubi zikaltër ka marrë nga Atalanta Kristian Dervishin, i cili ka firmosur një kontratë trevjeçare dhe është prezantuar me fanellën e Interit.

Lojtari i Shqipërisë U-17 që nga nesër do të jetë nën urdhrat e trajnerit Kristian Çivu, i cili drejton Interin U-18. Drejtuesit e klubit kishin kohë që e ndiqnin Dervishin, një mesfushor i krahut të djathtë, i datëlindjes 2003, deri tani pjesë e Atalantës. Dervishi është transferuar tek Interi në formulën e huazimit, por me detyrimin e blerjes. Një hap i rëndësishëm përpara për lojtarin shqiptar, që ka shansin të rritet në një klub të madh europian.

Dervishi firmos kontratën me Interin. Gazeta Si, 24 shtator 2020

E ardhmja e Kombëtares pritet të jetë gjithmonë e më e mirë. Përveç dy kuqezinjve të Interit, janë edhe Kumbulla që ka kaluar te Roma, Gjimshiti që po konfirmohet tek Atalanta, Ismajli sapo ka kaluar te Specia dhe Vrioni te Juventusi. Ka edhe emra të tjerë, por sigurisht që të qenit pjesë e Interit bën që te këta lojtarë të ketë më shumë vëmendje. Më parë ka qenë në radhët e zikaltërve edhe Rei Manaj, i cili më pas është huazuar në shumë skuadra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë