Futboll

Interi shpallet kampion dimri, fitore dramatike dhe sa shumë polemika ndaj Veronës

Gazeta Si – Interi është shpallur kampion dimri pas fitores 2-1 ndaj Veronës, që e ngjit skuadrën e Asllanit në kuotën e 48 pikëve. Por sa shumë polemika për gjykimin dhe konkretisht për VAR-in, që duhej të ndërhynte pas golit të dytë në shtesë.

Lautaro Martinez e kaloi Interin në avantazh në pjesën e parë, në të dytën Henri barazoi shifrat. Në shtesë pastaj ndodhi gjithçka dhe ndeshja u mbyll pas 100 minutash.

Fratezi realizoi golin e dytë në minutën e 3-të shtesë, Verona fitoi një penallti në minutën e 100-të, që u humb nga Henri. Ingazi e mbyll në krye fazën e parë të kampionatit, ndërsa pas ndeshjes pati shumë polemika.

Një goditje me bërryl e Bastonit rrëzoi në tokë Dudën, por loja vazhdoi dhe gjatë aksionit erdhi edhe goli i dytë dhe i fitores për Interin. Specialistët e gjykimit në Itali kanë theksuar se duhej të ndërhynte VAR-i në atë rast, ndërsa drejtuesit e Veronës akuzuan se dikush donte që ajo ndeshje të përfundonte ashtu.
Kristjan Asllani qëndroi gjithë kohën në stol në këtë ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë