Futboll

Interi pa “frena”/ Gati edhe goditja e madhe, David Alaba

Interi pa “frena” në merkaton e verës. Pas mbrojtësit të djathtë, Ashraf Hakimi, zikaltrit janë gati të bëjnë goditjen e madhe për një tjetër lojtar të nivelit të lartë nga Bundesliga. Antonio Konte kërkon në skuadër edhe mbrojtësin austriak të Bajernit, David Alaba. Marota dhe Auzilio po përpiqen t’ia plotësojnë trajnerit edhe këtë kërkesë.

Për momentin duket një ëndërr, por drejtuesit e Interit po punojnë prej kohësh për këtë operacion, sepse Kontes i duhen patjetër lojtarë të kalibrit të David Alabës për të fituar titullin. Ashtu siç vepruan për Hakimin, edhe për lojtarin austriak Marota dhe Auzilio duket se i kanë paraprirë situatës. Alaba luan si mbrojtës dhe si mesfushor krahu në mbrojtjen me 3, siç është edhe skema e Kontes tek Interi.

Alaba dhe Boateng. Gazeta Si, 4 korrik 2020

Një detaj shumë i rëndësishëm është se Alaba ka qenë në Milano dy herë para pandemisë dhe ka biseduar me drejtuesit e Interit. Ai ka qenë bashkë me të atin, që e përfaqëson me konsulencën e prokuratorit të njohur, Pini Zahavi. Nëse marrëveshja me Alabën do të mbyllej me sukses, Interi do të bëhej vërtet një skuadër e frikshme, sidomos nga krahët. Alaba ka fituar titullin e radhës në Gjermani dhe Kontes do t’i jepte garanci falë përvojës së tij të gjatë.

Alaba mund t’i kushtojë Interit 50 milionë euro, ndërkohë që te Bajerni përfiton 11 milionë euro në sezon. I skadon kontrata me bavarezët pas një sezoni dhe për momentin nuk ka një akord për rinovimin me kampionët e Gjermanisë. Përveç Interit, për austriakun ka interesim edhe nga Reali, Mançester Siti dhe PSG. Interi kërkon të përshpejtojë gjithçka për këtë lëvizje dhe të futë në tratativa edhe Ivan Perisiç, i cili është huazuar te bavarezët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë