Futboll

Interi në sulm për Kavanin, kontratë 3-vjeçare për uruguaianin

PSG kërkon të blejë përfundimisht Mauro Ikardin, ndërsa Interi do Edinson Kavanin. Përballë rrezikut të humbjes së golave dhe talentit të Lautaro Martinez, të cilin Barcelona e kërkon me çdo kusht, klubi zikaltër dëshiron t’ia besojë sulmin uruguaianit, në skadencë kontrate me parisienët.

Për ta bindur Kavanin të veshë fanellën e tretë italiane, pas atyre të Palermos dhe Napolit, Interi ka gati një kontratë trevjeçare prej 7.5 milionë eurosh, plus bonuset. Interit mund t’i prishë punë trajneri Diego Simeone, i cili e kërkon me ngulm tek Atletiko Madrid. Vlerësimi i Simeones për lojtarin 33-vjeçar duhet prej kohësh, ndërkohë që orët e fundit ka dalë në skenë edhe pista e Njukasëllit, tashmë me pronarë arabë.

Kavani dhe Ikardi, fate të kryqëzuara. Gazeta Si, 25 maj 2020

Kavani mund të qëndronte në Paris edhe një sezon, por klubi nuk ka në plan t’ia rinovojë kontratën. Fati i uruguaianit, “bomberi” më i mirë i historisë së PSG-së, është i lidhur ngushtë me atë të Mauro Ikardit. PSG kërkon të blejë kartonin e ish-kapitenit të Interit, por pret një ulje çmimi nga zikaltrit. Këta të fundit kanë edhe një problem tjetër sa i takon afrimit të Kavanit. Edhe pse ai ka shënuar 304 gola, tifozët nuk janë entuziastë, sepse i druhen faktit se mund të ndodhë si me Aleksis Sançez, që po dështon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë