Gazeta Si – Interi nuk di të ndalet, regjistron fitoren e 11-të radhazi dhe të 4-ën radhazi me 4 gola të shënuar. Një skuadër në formatin 4X4. Fitore me goleadë ndaj Atalantës dhe tashmë Juventusi është 12 pikë prapa. Dy kuqezinjtë në fushë për 90 minuta.

Inter-Atalanta, e prapambetur nga java e 21-të e Serisë A, përfundoi 4-0, me zikaltrit e Simone Inzagit që shkëputen në +12 nga Juventusi në krye të klasifikimit dhe titulli është vetëm çështje kohe. Bie në sy fakti që fitoret e fundit të Interit, ndaj Romës, Salernitanës, Leçes dhe sot Atalantës, janë me 4 gola të shënuar.
Pas një goli të anuluar të De Ketelaere në fillim, Interi mori frenat e lojës në dorë dhe gjeti avantazhin me Darmian, pas një gabimi të portierit Karneseki. Lautaro Martinez dyfishoi pa u mbyllur pjesa e parë, në të dytën kapiteni gaboi një penallti, por shënoi më pas Dimarko. Fratezi kompletoi pokerin pak pasi hyri në fushë, por u dëmtua dhe doli sërish.

Atalanta e Berat Gjimshitit mbetet në vend të 5-të, -2 nga Bolonja dhe zona Champions. Mbrojtësi kuqezi mbante sërish shiritin e kapitenit tek Atalanta, por ishte në një ditë të keqe, ashtu si gjithë skuadra e tij në fakt. Ndër të paktat ndeshje që Gjimshiti nuk u ngjit në nivelin e zakonshëm.
Po 90 minuta luajti në këtë ndeshje Kristjan Asllani. Trajneri Inzagi e aktivizoi titullar dhe këtë herë nuk e zëvendësoi mesfushorin shqiptar, që është vlerësuar me notën 6.5 për paraqitjen e bërë në këtë takim. Me siguri dy ndeshje si titullar do ta ndihmojnë Asllanin të fitojë më shumë besim në vetvete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.