Futboll

Interi ndjek Armando Brojën, synon huazimin e sulmuesit kuqezi në janar

Gazeta Si – Interi në janar mund të rifutet në merkato për të forcuar sulmin, sepse deri tani Arnautoviç dhe Sançez nuk kanë bindur. Dhe një pistë e nxehtë duket se është ajo që e çon këtë klub te sulmuesi shqiptar, Armando Broja.

Interi ka ditur të ndërhyjë në merkato gjatë sezonit dhe këtë synon të bëjë edhe këtë herë. Mehdi Taremi, iraniani i Portos që ishte një hap larg Milanit në gusht, është në listën e drejtorit sportiv Piero Auzilio. Ai pëlqehet për karakteristikat dhe eksperiencën ndërkombëtare, ndaj dhe klubi zikaltër po monitoron situatën.

Broja feston një gol me Çelsin. Gazeta Si, 10 tetor 2023

Por është edhe Armando Broja një emër që josh Interin. Sulmuesi shqiptar është kthyer nga dëmtimi i gjatë dhe sapo ka filluar të luajë me Çelsin. Ai është ndjekur nga Interi edhe më parë, që në kohën kur luante në Holandë, te Viteshe. Do të vlerësohet ecuria e tij deri në janar, një situatë që do të mbahet nën vëzhgim.

Për Interin mund të jetë një zgjidhje logjike. Raportet e mira me Çelsin nuk janë ndërprerë kurrë, rasti i Lukakut nuk ka ndikuar në këtë drejtim. Huazimi i Brojës është një pistë që nuk mund të përjashtohet. Klubi nuk do që të gjendet i papërgatirtur në janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë