Futboll

Interi i pandalshëm, ‘poker’ golash dhe sërish në krye. Gjimshiti ‘ngrin’ Milanin

Gazeta Si – Vetëm 24 orë zgjati kryesimi për Juventusin. Interi ka mundur sot 4-0 Udinezen dhe ka rimarrë komandën e Serisë A, me 38 pikë, duke u shkëputur sërish 2 pikë nga rivalët torinezë.

Ishte një ndeshje pa shumë histori në ‘San Siro’. Interi shënoi 3 gola në fundin e pjesës së parë, fillimisht me një penallti të Çalhanoglu dhe më pas me Dimarko e Turam. Zikaltrit shkuan kështu shumë të qetë në pushimin e ndeshjes.

Në pjesën e dytë kapiteni Lautaro Martinez shënoi emrin e tij në listën e golashënuesve për skuadrën e trajnerit Simone Inzagi, duke kompletuar ‘pokerin’. Një tjetër ndeshje shumë e mirë për Interin, që po bën një sezon mjaft të mirë, duke bërë diferencën në lojë dhe rezultate.

Kristjan Asllani fitoi disa minuta më shumë në këtë ndeshje. Mesfushori i Kombëtares, që zakonisht e ka zëvendësuar Çalhanoglu në minutën e 75-të, apo edhe më vonë, në varësi të rezultatit, sot u hodh në fushë në minutën e 70-të, duke pasur në dispozicion 20 minuta, plus shtesën.

Berat Gjimshiti, i rikuperuar në kohë për Atalantën, doli fitimtar ndaj Milanit. Kapiteni kuqezi luajti 90 minuta në fitoren 3-2 të skuadrës së tij. Ishte një ndeshje që u duk se do të mbyllej në barazim 2-2, por në shtesë Muriel ‘ngriu’ skuadrën e Piolit me një goditje me takë, duke i dhënë fitoren Atalantës. Milanin gjithsesi mban vendin e 3-të në renditje.

Lacio barazoi 1-1 në fushën e Vaeronës, ndërsa Elseid Hysaj u fut në fushë pasi kishte kaluar gjysmë ore lojë, për shkak të dëmtimit të Marusiç. Futbollisti shkodran u zëvendësua pastaj në fundin e ndeshjes nga trajneri Sarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë