Futboll

Interi humb Lukakun, Konte duhet ta bëjë sulmin nga e para

Tërheqja muskulore në kofshën e majtë nuk do të ishte aq lajm i keq për Interin, nëse nuk do të bëhej fjalë për Romelu Lukakun. Sulmuesi belg është aq i rëndësishëm, sa mund të thuhet pa frikë se është i vetmi lojtar i pazëvendësueshëm në ekip. Nuk do të jetë ndaj Parmës në kampionat, me shumë mundësi edhe ndaj Real Madridit në Champions javën e ardhshme.

Konte duhet ta bëjë nga e para sulmin dhe nuk do ta ketë të lehtë, pasi edhe Sançez është i dëmtuar dhe edhe nëse rikuperohet, ndaj Parmës do ta nisë nga stoli. Kështu, në krah të Lautaro Martinez do të jetë Pinamonti ose Perisiç. Lukaku sezonin e fundit mungoi në tri ndeshje për dëmtim, kurse këtë sezon ka luajtur gjithmonë.

Romelu Lukaku. sulmuesi belg i Interit. Gazeta Si, 30 tetor 2020

Për të kuptuar rëndësinë e belgut, mjafton të shohësh numrat: vitin e parë si zikaltër shënoi 34 gola në total (23 në kampionat). Këtë shifër golash, 34, e ka shënuar edhe Ronaldo Fenomeni në sezonin e debutimit në Itali. Këtë sezon Lukaku ka një mesatare prej 1 goli në ndeshje (7 gola në total, 5 në Serinë A dhe 2 në Champions në po kaq ndeshje).

Por nuk janë vetëm numrat që impresionojnë. Prania e tij në fushë është thelbësore për t’i krijuar hapësira skuadrës. Ai e bën shumë mirë spondën për atë që vjen nga prapa, pasi di shumë mirë të veprojë me mbrojtësin pas shpinës, falë fuqisë së jashtëzakonshme. Është një lojtar i pazëvendësueshëm. Fati i Interit është se në rastin më të keq Interi do ta humbë vetëm për pak ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë