Futboll

Interi hidhet në sulm për Pavard, Bajerni kërkon të paktën 35 milionë euro

Gazeta Si – Interi e ka seriozisht për Benjamin Pavard, mbrojtësin e Bajern Mynih. Nga Gjermani vijnë të reja të rëndësishme për objektivin e klubit zikaltër për forcimin e mbrojtjes.

Sipas ‘Bild’, Interi i ka ofruar 25 milionë euro Bajernit për francezin e vitlindjes 1996, që ka kontratë me bavarezët deri më 30 qershor 2024. ‘Sky DE’ ndërkohë flet për një shifër afër 30 milionë eurove, duke përfshirë edhe bonuset, si dhe për një akord të arritur me lojtarin. Bajerni kërkon të paktën 35 milionë euro për Pavard dhe bisedimet mbeten të hapura.

Benjamin Pavard. Gazeta Si, 18 gusht 2023

Për të njëjtin lojtar është në garë edhe Mançester Junajtid, që më parë duhet të shesë Herri Meguajër. "Pavard nuk më ka thënë se dëshiron të largohet, është lojtari ynë dhe kam besim tek ai”, - ka thënë trajneri i Bajernit, Tomas Tuhel, para ndeshjes së Bundesligës ndaj Verder Bremen.

Pavard rikthehet në shënjestrën e Interit pas interesimit të tij për këtë lojtar në merkaton e dimrit. Ai mendohej që në atë kohë si një zëvendësues ideal për Shkriniar.

Për mesfushën duket se Interi, pas dështimit të pistës ‘Samarxhiç’, do t’i besojë Sensit, një lojtar me kualitet, por dyshimi i vetëm ka të bëjë me problemet fizike të tij. Për sulmin sapo ka ardhur Arnautoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë