Futboll

Interi fiton lehtë në Kaljari, Asllani mbetet i mbyllur në ‘kafazin’ e Inzagit

Gazeta Si – Interi i është përgjigjur Milanit dhe Napolit në javën e dytë të Serisë A, duke mundur 0-2 Kaljarin në transfertë. Dumfris dhe Lautaro Martinez shënuan golat e fitores së lehtë të zikaltërve ndaj skuadrës së Ranierit. Kampionati ka nisur shumë mirë për Interin, me pikë të plota pas 180 minutash, ndërsa Kristjan Asllani vazhdon të vuajë.

Asllani me fanellen e Interit. Gazeta Si, 28 gusht 2023

Futbollisti shqiptar nuk e ka prekur fushën e blertë gjatë dy ndeshjeve të para të kampionatit me Interin. Mesfushori kuqezi duket i mbyllur në ‘kafaz’ nga trajneri Simone Inzagi dhe ndoshta duhet të mendojë për një skuadër tjetër, ku mund të luajë rregullisht, ose të paktën si zëvendësues.

Asllani ka dalë tashmë rezerva e tretë në mesfushën e Interit, ndërsa për formacionin as që bëhet fjalë. Brozoviç u largua, por lojtari shqiptar, i marrë si zëvendësues i kroatit, nuk po aktivizohet. Ndaj Kaljarit trajneri Inzagi aktivizoi si zëvendësues në mesfushë Fratezin të parin, më pas edhe Sensin, kurse për Asllanin nuk pati asnjë minutë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë