Futboll

Interi dhe Lacio kthehen te fitorja, Strakosha e shijon si tifoz

Interi dhe Lacio kthehen te fitorja në kampionat, në javën e 5-të të Serisë A. Skuadra e Antonio Kontes kishte dy ndeshje pa fitore, kurse ajo e Inzagit tri ndeshje pa fitore, por kthesën e kishte filluar me Borusia Dortmunin në Ligën e Kampionëve në mesjavë.

Zikaltrit fituan 0-2 në fushën e Xhenoas, ku i zakonshmi Romelu Lukaku ishte ai që i hapi rrugën suksesit në pjesën e dytë, duke goditur saktë brenda zonës, pas një topi të marrë nga Barela. D’Ambrozio dyfishoi 11 minuta para fundit për Interin, që ngjitet në kuotën e 10 pikëve dhe qëndron pranë kreut të renditjes. Një fitore më shumë vlera për të besuarit e Kontes, që kishin stonuar edhe në Europë, ku nuk arritën ta nisnin me tri pikë.

Lacio feston golin e Luis Albertos. Gazeta Si, 24 tetor 2020

Tomas Strakosha e ndoqi si spektator ndeshjen me Bolonjën, ku Lacio fitoi 2-1, falë golave të Luis Albertos dhe Imobiles. Portieri kuqezi u la pushim në këtë ndeshje nga trajneri Inzagi dhe vendin e tij e zuri veterani Pepe Reina. Në fundin e ndeshjes Lacio pësoi një gol, por pa e vënë në rrezik fitoren, e dyta radhazi pas asaj në Champions, ndërsa në kampionat kjo ishte fitorja e dytë Lacio ka 7 pikë pas 5 javësh dhe e sheh veten në vend të 10-të.

Sot në Serinë A është luajtur edhe ndeshja Atalanta-Sampdoria, që përfundoi me rezultatin surprizë, 1-3. Mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, ashtu si në Champions, ishte titullar për Atalantën, që pëson humbjen e dytë radhazi në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë