Treg

Interesat e larta dyfishuan fitimet e bankave tregtare në Shqipëri

Nga Gazeta 'SI' - Fitimi neto i sektorit bankar të Shqipërisë u rrit në 14.7 miliardë lekë në fund të muajit qershor. Fitimet duket të jenë dyfishuar nga një vit më parë, kur shifra ishte vetëm 6.5 mld lekë.

Shifrat u publikuan nga Shoqata e Bankave.

Rritja e të ardhurave të banakve duket të jetë rezultat i të ardhurave nga interesat dhe burimet e tjera. Rezultati neto nga interesat arriti në 33.2 miliardë lekë, me një rritje prej 34% krahasuar me një vit më parë. Rritja e normave referuese të interesit prej vitit të kaluar është reflektuar edhe në normat e kredive me interes të ndryshueshëm të sektorit bankar.

Këto të ardhura kanë arritur në 7.6 miliardë lekë, në rritje me 204% krahasuar me një vit më parë. Efektin kryesor në këtë rritje e ka dhënë rënia e ndjeshme e humbjeve nga instrumentet financiare. Vitin e kaluar, rritja e shpejtë e yield-eve solli humbje të konsiderueshme në portofolin e titujve të mbajtura me vlerë të drejtë.

Për gjysmën e parë të këtij viti, ky efekt ka qenë më i kufizuar, edhe sepse bankat i kanë zhvendosur portofolet drejt kategorisë “të mbajtura deri në maturim”, për të pasur një ndikim më të vogël nga rritja e yield-eve, që për instrumentet në valutë të huaj ka vazhduar edhe në gjysmën e parë të këtij viti.

Kthimi nga kapitali aksioner (ROE), mesatarizuar me bazë vjetore, është rritur në 15.87%, nga 7.22% që kishte qenë në mesin e vitit të kaluar.

Ndërsa kthimi nga aktivet para taksave (ROA) është rritur në 1.84%, nga 0.8% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shpenzimet e bankave, përjashto ato për interesa, arritën në 21.4 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë. Rritja erdhi si nga rritja e shpenzimeve të personelit, ashtu edhe nga rritja e shpenzimeve të tjera operative.

Ndërkohë, zëri më i ndjeshëm i shpenzimeve, ai i lidhur me koston e rrezikut u rrit gjithashtu ndjeshëm në rreth 2.1 miliardë lekë, nga pak më shumë se 200 milionë lekë që kishte qenë një vit më parë.

Rritja erdhi kryesisht nga rritja e provigjioneve për kreditë me probleme. Megjithatë, për momentin kjo rritje nuk ka dhënë ndikime të rëndësishme në rezultatin financiar në nivel sektori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë