Ndërsa vazhdon kërkimi për partnerë të rinj për të shitur shumicën e aksioneve të Interit, te Suning po mendohet gjithashtu për një plan alternativ: një financim, që do ti kërkohet fondeve të investimeve, prej 150-200 milionë euro për të mos lënë kontrollin e kompanisë deri në fund të vitit kur familja Zhang shpreson në një rimëkëmbje ekonomike post Covid dhe ndoshta një lehtësim të kufizimeve të qeverisë.
Një skenar në përputhje me vullnetin e grupit kinez, i detyruar të vlerësojë idenë e shkëputjes vetëm për shkak të situatës politiko-ekonomike: kështu Zhang do të përpiqej të arrinte të paktën deri në fund të sezonit, mbase me kampionatin e fituar.
Hipoteza, e ilustruar nga Sole 24 Ore, sjell ndërmend projektin e Yonghong Li me Milanin, kur ai kërkoi një hua nga Elliott për të vazhduar të kishte kontrollin e klubit dhe, më pas, u detyrua ta shiste pikërisht tek fondi amerikan në pronësi të Paul Singer, kur nuk arriti të shlyente pjesën e fundit të kredisë. E njëjta gjë që do të ndodhte me familjen Zhang në rast të mospagimit të huasë hipotetike.
Paralelisht, kërkimi për partnerë të mundshëm vazhdon e në këtë këndvështrim pista më e nxehtë mbetet ajo që të çon te BC Partners: gjatë javës pritet një përgjigje nga Suning ndaj ofertës për shumicën e aksioneve të Interit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.