Futboll

Inter, Ronaldo: 5 maji ishte faji ynë, u ndjeva i tradhtuar nga Interi

“Fenomeni” kthehet të flasë për vitet e tij të arta. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ai ka rrëfyer gjithçka rreth Interit, Cuperit, Real Madrid, Capello dhe zgjedhjes për tu rikthyer në Itali për të veshur, edhe pse vetëm për një sezon, fanellën e Milanit: “Duket e përshtatshme ta them tani, kur ka kaluar shumë kohë, por është vetëm dhe vetëm e vërteta: Doja të kthehesha tek Interi. Kam bërë gjithçka për t’u rikthyer tek Interi. Kam pritur sa ishte e mundur për t’i dhënë Interit kohën e duhur të më thoshte po ose jo. Kur nuk ka po dhe as jo, do të thotë që të kanë refuzuar. Milani më bëri ofertë dhe në atë moment, më shumë se një tradhtar, u ndjeva pak i tradhtuar për refuzimin e Interit. Ishte një zgjedhje jopopullore, por në jetën time kurrë nuk kam pasur frikë ta bëj atë.

5 maji: “Ndjeja dhimbje dhe frikë kur gjuri im zbriti në “Olimpico”. Gjeta forcën për të vazhduar. Isha një tjetër njeri, por me të njëjtin pasion për futbollin. Ai pasion ishte trajneri, stafi mjekësor, psikiatri dhe shoku im i skuadrës. Dëmtimi është çështje fati por, 5 maji ishte edhe një faj. Kur ju e keni fatin në dorë, nuk duhet ta lini t’ju ikë. Nuk ndodhi kështu me ne atë ditë dhe kurrë e nuk e kuptuam pse. Për këtë unë edhe kam qarë. Ai kampionat ishte dhurata minimale që duhej t’u jepnim tifozëve tanë.

Cuper:  “Nuk kishte asnjë marrëdhënie mes nesh. Unë e thashë këtë shprehje dhjetëra herë, gjithashtu edhe para presidentit. Nuk kishte vend për asnjë kompromis të mundshëm. Prandaj, kur unë dhe Moratti folëm përsëri për atë konflikt, ca kohë pas lamtumirës sime, e falëm njëri-tjetrin. Në atë moment, ndoshta asnjëri prej nesh nuk mund të kishte bërë asgjë tjetër”.

Real Madrid: “Më duket e çuditshme që kurrë nuk kam fituar një Champions. Dhe nëse them se nuk më mungon ky trofe, unë ju gënjej. E kam pyetur veten shumë here përse nuk ia dola. Mbase kur luajta në këtë kompeticion nuk isha në formën time vendimtare, e kundërta e asaj që më ndodhi më 2002 në Kore dhe Japoni. Megjithatë, kam kujtime të veçanta nga Champions-i. Nuk e harroj “Old Trafford”, tifozët të tërë në këmbë për të më duartrokitur, pas tre golave ndaj Manchester United. Ky ishte një nga emocionet që më bëri të mendoja se ia vlente ta bëja atë punë.

Është folur shumë për marrëdhënien me Capellon te Reali. Fraza e tij e vetme, që unë dua të mbaj në kujtesë prej tij, është: Ronaldo është më i forti që kam stërvitur ndonjëherë. Çdo gjë tjetër mund të jetë e vërtetë, por është sekondare”.

Në fund, një mesazh inkurajimi dhe besimi ndaj klubit të cilit ai është akoma i lidhur: “Unë kam besim te Zhang dhe te menaxhmenti aktual i Interit. Si tifoz zikaltër kam ëndrrën e të gjithë tifozëve. Respekt maksimal për Juventusin, i cili në Itali është një shembull se duhet menaxhuar një klub futbolli dhe ndërtuar një cikël fitues, por është koha që kjo “diktaturë” e tij të marrë fund. Dhe i takon Interit ta bëjë realitet këtë, unë nuk shoh ndonjë mundësi tjetër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë