Futboll

Inter i çmendur, përmbys Fiorentinën dy herë në “San Siro”

Ndeshje e çmendur, Inter i çmendur në “San Siro”, ku skuadra e Kontes përmbysi dy herë rezultatin dhe në fund mori 3 pikët e para. Fiorentina udhëhiqte 2-3 deri në minutën e 87-të, falë lojës së Riberi, profesorit në fushë, por D’Ambrozio dhe Lulaku përmbysën gjithçka për 2 minuta. Interi u ndihmua shumë nga ndërrimet, që i dhanë më shumë “benzine” skuadrës.

Konte e nisi ndeshjen me Brozoviç titullar, kurse Hakimi është në stol për t’i lënë vendin Jang, një lojtar më taktik. Perisiç dhe Eriksen vuajnë për të gjetur vendin e tyre. Vendosje gabim e Kolarov dhe Bonaventura shërben për Kuame, i cili kalon Fiorentinën në avantazh. Por zikaltrit gabojnë edhe në pasime dhe duhen ndërhyrjet shpëtimtare të Handanoviç për të evituar golin e dytë. Me kalimin e minutave, Interi fillon ta marë veten, fiton një penallti me Lautaro Martinez, që më pas hiqet nga VAR-i.

Interi feston një nga golat ndaj Fiorentinës. Gazeta Si, 27 shtator 2020

Argjentinasi barazon në fundin e pjesës së parë dhe në pjesën e dytë shfaqet më rrezikshëm. Goli i dytë për Interin vjen prej tij dhe pas një devijimi fatal të Çekerinit. Është vetëm një iluzion, sepse Interi nuk arrin ta futë ndeshjen në binarë dhe Fiorentina barazon me Kastrovilin, i shërbyer nga Riberi. Francezi çon Kiezën te goli i tretë, pas një kundërsulmi të shpejtë.

Konte hedh në fushë Hakimin në vend të Jang, i cili bën një tjetër paraqitje zhgënjyse, ashtu si dhe Eriksen, që i lë vendin Sensit. Interi ka më shumë “oksigjen” dhe kërcënon portën e Fiorentinës. Debuton Vidal, në fushë edhe Naingolan dhe Sançez, dalin Barela, Brozoviç dhe Perisiç. Pas disa minutash përplasje me murin, Interi arrin ta çajë mbrojtjen e Fiorentinës. Lukaku barazon pas një asisti të Hakimit dhe në fund D’Ambrozio shënon golin e një 4-3-shi të çmendur. Më të çmendur se kaq, vështirë se gjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë