Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përzgjedhur pesë kandidatë për t’i përfshirë në garën për Inspektor të Lartë. Në një njoftim për shtyp KED bën të ditur se në mbledhjen e radhës këshilli do të vijojë me intervistimin e kandidatëve të lejuar për kandidim, e më pas me procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe pikëzimit të pesë të përzgjedhurve. Emrat e tyre janë Artur Metani, Eris Hysi, Joana Asimi Sorraj, Lindita Troja, Sokol Stojani. Në garën për Inspektor kanë qenë Artur Malaj; Joana Asimi Sorraj; Klodian Rado, Lindita Troja, Marsida Xhaferllari dhe Sokol Stojani.
Për shkak se Artur Malaj u shkarkua nga sistemi i drejtësisë me një vendim përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KED vendosi ndalimin e kandidimit si inspektor. Gjithashtu KED ka hequr nga lista edhe Marsida Xhaferllarin, pasi kjo kishte kërkuar vetë që të mos përfshihej në këtë proces, pasi është zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me dekret të presidentit Meta.
Gjithashtu KED miratoi tërheqjen e Klodian Rados nga kjo garë. Mësohet se në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit mund të bëhet pikëzimi i kandidatëve për t’u dërguar më pas për zgjedhje nga Parlamenti. Sipas neni 147/d Inspektori i Lartë zgjidhet me 3/5 e votave të Parlamentit. Në rast se nuk arrihen votat e kërkuara, atëherë kandidati i renditur i pari shpallet automatikisht fitues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.