Treg

Inflacioni u rrit në gusht, pavarësisht mungesës së turistëve të huaj dhe pandemisë

Megjithë mungesën e turistëve dhe krizën nga pandemia, konsumi është gjallëruar në muajin gusht. Inflacioni (ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit) në gusht ishte 2,1 % më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, pra 0,9 % më pak larg objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Rritja e çmimit të ushqimeve ka ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve me 2,1 % në gusht krahasuar me gushtin e një viti më parë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se çmimet e ushqimeve në terma vjetorë u rritën në gusht me 4,1 % . Rritje çmimesh janë reflektuar edhe në “Transport”, “Pije alkoolike dhe duhan” “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, etj. Në të njëjtën kohë vërehet një ulje në çmime në grupin “Veshje dhe këpucë”.

Në muajin Gusht 2020, inflacioni është rritur 0,2 % krahasuar me muajin korrik të këtij viti. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti” me 0,5 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,2 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,2 %.

Banka e Shqipërisë thotë se inflacioni pritet të shkojë në objektiv (3%) kur të nisë rimëkëmbja e ekonomisë pas dy goditjeve të forta që pati venid; tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë