Treg

Inflacioni në SHBA ngadalësohet në 3% në qershor, niveli më i ulët në më shumë se dy vjet

Inflacioni në SHBA ra në 3 për qind në qershor, më i ulët se sa pritej, si një shenjë se rritja e normave të interesit nga Rezerva Federale po ndikon në presionin e çmimeve.

Rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit (IÇK) u ngadalësua nga 4 për qind në muajin maj në 3 për qind, norma më e ulët e inflacionit që nga marsi 2021.

Çmimet u rritën me 0.2 për qind me bazë mujore në qershor, nga 0.1 për qind muajin e kaluar, por më pak se sa kishin parashikuar ekonomistët. Shifra vjetore u ndihmua më tej nga të ashtuquajturat efekte bazë, pasi rritjet jashtëzakonisht të mëdha nga qershori 2022 dalin jashtë llogaritjeve.

Pati një rënie më modeste në IÇK “bazë”, e cila u ngadalësua në një normë vjetore prej 4.8 për qind në qershor nga 5.3 për qind.

Çmimet bazë, ku nuk përfshihen kostot e paqëndrueshme të ushqimit dhe energjisë u rritën me 0.2 për qind në muaj, krahasuar me 0.1 për qind në maj.

Norma totale e inflacionit, është afruar vazhdimisht me objektivin prej 2% të Rezervës Federale, pasi arriti kulmin në më shumë se 9% qershorin e kaluar.

Megjithatë, inflacioni bazë ka qenë më i qëndrueshëm, duke rritur pritshmëritë se bankës qendrore e SHBA-së, do t’i duhet të rrisë më tej normat e interesit.

Fed e ka ngritur normën bazë të interesit, në një interval prej 5-5.25%, nga afër zeros në fillim të 2022. Zyrtarët i mbajtën normat të qëndrueshme në takimin më të fundit të politikës në qershor, për të vlerësuar efektin e rritjeve të mëparshme, por kanë bërë të qartë se presin rritje të mëtejshme para fundit të vitit.

Të dhënat e tregut të punës, të publikuara javën e kaluar, theksuan gjithashtu presionet e vazhdueshme inflacioniste, me papunësinë ende afër nivelit të ulët në shumë dekada dhe pagat, që rriten shumë mbi nivelet, që konsiderohen në përputhje me normën e synuar të inflacionit të Fed.

Kontratat e së ardhmes në tregun e aksioneve amerikane u rritën, duke e shtyrë S&P 500 të hapet rreth 0.7 për qind më lart.

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë