Treg

Inflacioni në rënie, BB: Kapacitetet prodhuese të pashfrytëzuara

Inflacioni vijon rënien. INSTAT ka raportuar se në muajin shtator rritja e përgjithshme e nivelit të çmimeve ishte vetëm 1.3 % nga 2.1 % një vit më parë.

Ecuria e inflacionit është larg objektivit të Bankës së Shqipërisë 3%.

Sipas të dhënave të INSTAT, ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,93 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,15 pikë përqindje.

Ehde çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar pozitivisht.

Banka Botërore po ashtu ka referuar inflacionin në rënie që prej vitit 2018, duke përmbysur ecurinë e kohëve të fundit.

Inflacioni mesatar deri në Korrik ra nga 2.1 përqind në 2018 në 1.5 përqind, nivel në të cilin pritet të qëndrojë deri në fund të vitit. Niveli i ulët i inflacionit të importuar nga vendet partnere tregtare dhe mbiçmimi i lekut ishin faktorët kryesorë që diktuan këtë rënie të inflacionit.

Presionet e brendshme të inflacionit ishin gjithashtu të dobëta për shkak të vijimit të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve prodhuese; hendeku i prodhimit vlerësohet të jetë –0.9 përqind. Rënia e inflacionit ndoqi ecurinë e inflacionit të artikujve ushqimorë, duke pasqyruar atë që po ndodhte në partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë ka mbajtur normën bazë të interesit në një nivel të ulët historik prej 1 përqind që nga Qershori i vitit 2018. Ndryshimi është transmetuar ngadalë në ekonomi sipas Bankës Botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë