Treg

Inflacioni në Europë bie në nivelin më të ulët në dy vjet

Nga Gazeta ‘Si’-Inflacioni në Europë ra në nivelin më të ulët në dy vjet në shtator, duke sugjeruar se dieta e qëndrueshme e rritjes së normave të interesit e Bankës Qendrore Europiane po ia del mbanë të frenonjë çmimet e rënduara.

Inflacioni në 20 vendet që ndajnë euron ishte 4.3% në shtator, ritmi më i ngadaltë që nga tetori 2021, nga 5.2% një muaj më parë, sipas të dhënave të Eurostat të publikuara sot(29 shtator).

Inflacioni duke përjashtuar ushqimin, energjinë, alkoolin dhe duhanin – i cili monitorohet nga afër nga BQE si një matës më i mirë i trendit themelor – ra në 4.5% nga 5.3%, rënia më e madhe që nga gushti 2020.

Këto lexime ka të ngjarë të forcojnë bindjen e BQE-së se ajo kishte rritur mjaftueshëm normat e interesit për të ulur inflacionin në objektivin e saj prej 2% deri në vitin 2025.

Inflacioni arriti në nivele dyshifrore vjeshtën e kaluar mes një kombinimi të kostove në rritje të energjisë, pengesave pas pandemisë në zinxhirët e furnizimit dhe shpenzimeve të larta qeveritare.

Si përgjigje, BQE e ngriti normën e saj bazë të interesit në një nivel rekord prej 4.0% nga minus 0.5% në pak më shumë se një vit.

Rënia e inflacionit ishte me bazë të gjerë në shtator, ku të gjitha kategoritë u rritën me një ritëm më të ngadaltë dhe çmimet e energjisë ranë plotësisht për të pestin muaj radhazi.

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë