Ka ndodhur

Prej disa ditësh nën monitorim, arqipeshkvi George Frendo dërgohet në Itali

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Imzot George Frendo, është dërguar në Itali për mjekim më të specializuar, pak orë pasi ishte njoftuar se ai ishte shtruar në spital për shkak të gjendjes së rënduar nga infektimi me Covid-19.
Frendo u nis për në Bari mbrëmjen e djeshme për t’u shtruar në Spitalin Miuli të “Acquaviva delle Fonti”.

“Ju njoftojmë se SH.T. Imzot George Frendo O.P., Arqipeshkëvi i Tiranë-Durrësit dhe njëkohësisht Presidenti i Konferences Ipeshkvore të Shqipërisë, mbrëmë ka udhëtuar drejt Barit, për t’u shtruar në Spitalin Miuli të 'Acquaviva delle Fonti. Shpresojmë se gjatë ditës do të kemi lajme më të hollësishme. Ndërkohë vazhdojmë të kërkojmë, në lutjet tona, shërimin e tij dhe shërimin e të gjithë të sëmurëve të prekur nga kjo Pandemi”, thuhet në njoftimin e Arqipeshkvisë.

Më herët, zyra e shtypit e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, kishte njoftuar se Imzot Frendo ka qenë për disa ditë në monitorim mjekësor për shkak se kishte rezultuar pozitiv me Covid 19, ndërsa gjendja e tij ishte përkeqësuar mbrëmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë