Editorial

Infektimi te “Emin Duraku” tregon se diçka serioze mungon në shkolla

Lajmi se në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë 15 mësues dhe staf ndihmës janë të infektuar me COVID-19 ose të karantinuar, nuk duhet të rrëshkasë nga vëmendja e publikut dhe vendimmarrësve si një lajm rutinor statistikor i ditës si ato që raporton çdo 24 orë Ministria e Shëndetësisë. Ky lajm duhet të jetë një alarm i fortë për disa dilema.
Edhe më parë ka pasur raste në shkollë me mësues të infektuar. Por lajmi për “Emin Durakun” ka peshë, jo aq sa për numrin dhe psikologjinë e shqetësimin e rënduar të prindërve dhe fëmijëve, sesa për faktin që nesër mund t ë mos kemi mundës që të përballojmë apo shmangim një krizë që pandemia mund të sjellë te sistemi arsimor.
Ministria e Arsimit tha se stafi i karantinuar dhe i infektuar është zëvendësuar menjëherë. Por nëse një trajektore e tillë e përhapjes përsëritet në shkolla të tjera, a është në gjendje Ministria e Arsimit të plotësojë mungesat me staf shtesë? Po stafet plotësuese a janë po aq të aftë sa ata që janë infektuar, për sa kohë nuk kanë qenë ndoshta staf aktiv? Çfarë do të ndodhë me psikologjinë e fëmijëve dhe përshtatjen me kërkesat e mësuesve të rinj? A është marrë në konsideratë refuzimi i prindërve për të çuar fëmijët në shkollë? Janë shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje të vështira. A është e përgatitur Ministria edhe për një skenar të tillë me shumë probleme?
Ky është njëri aspekt. Tjetri që nxori sot në pah rasti i shkollës “Emin Duraku”, lidhet me aftësinë që kanë masat parandaluese për të mos kolapsuar arsimin.
Burimet zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë i thanë Gazetës “Si” se ka nisur dhe ende nuk ka përfunduar hetimi epidemiologjik i rastit. Gazeta mësoi nga burime jozyrtare se “pacienti zero” brenda shkollës ishin sanitarët. Ata që gjenden kudo nëpër mjediset e shkollës dhe janë përgjegjës kryesorë për pastërtinë e higjienën, të cilat në këtë kohë pandemie duhet të jenë disafish më dinjitoze dhe skrupuloze. Për sa kohë nuk ka përfunduar hetimi, nuk dimë që stafi në shkollë është infektuar nga i njëti burim, megjithëse potencialisht mbetet pista kryesore. Ama, e dimë shumë mirë që protokollet rigoroze të afishuara nga Ministria e Arsimit dhe të detyrueshme për t’u zbatuar me pahir nga stafet, janë mbajtja e maskës, matja e temperaturës, deklarimet përpara fillimit të mësimit çdokujt që është pjesë e shkollës nëse kanë qenë në kontakt me persona të infektuar. Natyra e virusit nuk të le ta kapësh në kohë dhe infektimi mund të ndodhë. Por dilemma e fortë është: A mundet që vetëm maska e përditshme dhe dezinfektimi i përditshëm të parandalojnë katastrofën? Po nëse ky protokoll shkelet qoftë edhe padashje nga mësuesit, kush kontrollon e kush ndëshkon ashtu siç policia ndëshkon çdo qytetar pa maskë në rrugë?
Në shkolla, aty ku vëmendja dhe sensiblizimi duhet të jetë më i madh, duket se diçka serioze mungon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë