Shendet

Infektimet e larta/ A kanë tani shqiptarët më shumë frikë nga Covid-19?

Të dhënat e fundit mbi situatën epidemiologjike në vend nuk paraqiten të qeta. Mes infektimeve të shumta shqetësimi i qytetarëve është “regjistruar” edhe nga thirrjet telefonike në Qendrën e Urgjencës Kombëtare Mjekësore. Shefi i Urgjencës, Skënder Brataj i tha Gazetasi.al se gjatë muajve nëntor-dhjetor ka pasur rreth 1400 thirrje në ditë, ndërsa në ditët e para të janarit ky numër u rrit me 500-600 thirrje më shumë. E parë nga ana sociale-psikologjike por edhe nga ana shëndetësore kjo gjendje tregon nevojën për ndihmë.
Psikologja Entela Binjaku e shikon si një tablo paraprake të shëndetit të popullatës në këtë segment kohe që ka nevojë të qartësohet. Sipas saj, duke qenë se në terma krahasues kjo shifër është gati tre herë më e lartë se një vit më parë në të njëjtën periudhë, kjo tregon se situata shëndetësore nuk është në përmirësim, përkundrazi.

Psikologja Entela Binjaku

E parë nga qasja psikologjike Binjaku shpjegon se pandemia është përjetuar në mënyra të ndryshme: të rinjtë në përgjithësi janë shfaqur më pak të frikësuar, janë më indiferentë ndaj virusit, ndërsa ata që e kanë përjetuar me më shumë frikë infektimin dhe janë shoqëruar nga ankthi janë kryesisht mosha e tretë. Sipas saj të moshuarit vijojnë të jenë edhe më të rregulltit në ndjekjen e masave.
“Shqetësimet e natyrës psikologjike tek ne janë më të larta tek qytetarët që kanë përjetuar humbje të të afërmve prej pandemisë. Por në përgjithësi ana psikologjike tek ne depistohet më me vështirësi”, shton Binjaku.
Sipas Binjakut shifrat e larta të telefonatave për ndihmë vijnë sepse qytetarët kanë marrë një lloj ndërgjegjësimi. Psikologja shton se një vit më parë qytetarët nuk kishin këtë përvojë që kanë sot.

“Në fillime ishin më skeptikë sepse edhe pandemia ishte ende e paqartë për shumë prej nesh, edhe hezitimi i shoqëronte të shkonin nëpërmjet urgjencës në qendrat spitalore. Kurse gjatë këtij viti pandemi edhe vetë urgjenca kombëtare e pati mundësinë të tregojë shërbimin e saj dhe nisur nga përvoja që qytetarët bashkë ndanë, besimi i qytetarëve erdhi në rritje. Nga njëra anë është rritur nevoja për shërbim, nga ana tjetër shërbimi i urgjencës ka treguar veten se e kryen detyrën kur thirret” ,shpjegon Binjaku.
E parë dhe nga qasja sociale sipas Binjakut në kulturën tonë shërbimi i urgjencës zakonisht kërkohet në rastet e skajshme kur edhe mjeku i familjes nuk arrin të të përgjigjet apo kur vizitat te specialisti vonojnë.

“Ky numër i lartë mendoj se shërben edhe për këtë analizë. Të mos harrojmë se ka qytetarë që janë pa shërbime në banesë dhe shërbimi i urgjencës është i vetmi dhe të cilit mund t´i qasen më lehtë”, shton psikologja.
Më tej ekspertja shton se pavarësisht se ka nisur vaksinimi prej gati një viti, pavarësisht se reklamohet dhe bëhet vazhdimisht thirrje për vëmendje ndaj masave, kjo sërish nuk paska dhënë rezultatin e pritshëm.

Nga ana tjetër situata epidemiologjike në vend është e vështirë për sa i përket infektimeve. Përgjatë javëve të para të janarit kishim incidencën më të lartë të rasteve në dy vite pandemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë