Treg

Individët, blerësit kryesorë të borxhit të qeverisë. 15 mld lekë vetëm tremujorin e parë 2023

Nga Gazeta ‘SI’ - Gjatë gjithë tremujorit të parë 2023 tregu i titujve me pakicë të qeverisë u dominua nga investitorët individualë të cilët kanë blerë 15.1 mld lekë me rritje rreth 70% nga e njëjta periudhë e vitit 2022, sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) .  Kjo shifër përkthehet në 5.895 transaksione.  Bizneset apo shoqëritë kanë blerë pak më shumë se 1 mld lekë me rritje 17% dhe me 30 transaksione.

Për individët, bonot e thesarit kanë qenë më tërheqëse për shkak të kthimit të tyre në një kohë më të shkurtër dhe stabilitetit më afatgjatë të normës. 11 mld lekë kanë investuar ata në Bono me një rritje vjetore prej 84%. Pjesa, tjetër, 3.5 mld ishin obligacione, me rritje 30%. Për individët dhe shoqëritë, Bonot 12 mujore dhe Obligacionet 7-vjeçare kanë qenë më të preferuara në këtë tremujor.

Ndërsa bizneset duken se presin fitime më afatshkurtra duke investuar në Obligacionet 2-vjeccare kryesisht.

Pjesën më të madhe të tregut si ndërmjetës financiarë për shitje dhe blerje mban Raiffeisen Bank dhe BKT.

Kjo ecuri duket se është vazhdim i mbylljes së 2022-shit, ku individët rezultuan blerës të pothuajse 50 mld lekëve tituj borxhi, me rritje 200% në raport vjetor. Blerjet më të mëdha titujve i përkisnin fundvitit 2022, tetor-dhjetor, edhe në vlerë edhe në numër pjesëmarrësish. Ishte e njëjta periudhë kur qeveria dhe Banka e Shqipërisë nisën një fushatë informimi dhe bindje drejtuar qytetarëve për të investuar në to, “risk zero dhe kthim i lartë”.

Gjithsesi, fillimi i vitit 2023, solli një rënie të yield-eve, kryesisht tek Obligacionet, por kërkesa rezulton ende e lartë, duke treguar sigurinë që kanë investitorët në treg dhe pritjet pozitive për të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë