Treg

Individët blenë 22 mld lekë nga borxhi i qeverisë vetëm në 2023, por kërkesa në rënie

Nga Gazeta ‘SI’ - Shqiptarët mbajnë 155 mld lekë të borxhit të qeverisë, duke u rritur me 22 mld lekë vetëm në 6 muajt parë të vitit 2023.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, deri në fund të qershorit, investitorët shqiptarë mbanin 31% të tregut të titujve të borxhit. Rritja është e dukshme nga një vit më parë kur ishte 29% .

Numri i transaksioneve po nga individët është rritur me 56% nga një vit më parë, duke arritur 8.280 të tilla. muaji me numrin më të madh të transaksioneve është janari, ku yield-et e titujve ishin ende të larta, por edhe fushata e qeverisë për të tërhequr sa më shumë qytetarë drejt blerjes së borxhit të saj duket të ishte ende efektive. Në muajt e tjerë, interesi është zbehur.

Bonot e thesarit janë lloji më tërheqës i investimit në borxh për shqiptarët, kryesisht ato 1-vjeçare, ku për 6 mujorin janar-qershor 2023, kanë blerë rreth 17 mld lekë, duke zënë pothuajse 30% të tregut. Bonot janë më të preferuara lidhur me maturimin afatshkurtër dhe kthimin e parave më shpejt tek investitorët. Rreth 5.5 mld lekë kanë investuar tek obligacionet.  Me më shumë interes rezultojnë ato me maturim 7-vjeçar.

Rënia e interesit për titujt e borxhit pritet të vazhdojë edhe për pjesën e mbetur të vitit, lidhur me rënien e ndjeshme të yield-eve (interesit në kthim). Banka e Shqipërisë ka raportuar kohët e fundit se kërkesa në ankande nuk ka qenë e lartë, për asnjë lloj titulli.

Momentalisht, yield-et e titujve, sidomos bonove të thesarit janë shumë pranë normës së interesit 3%.

Qeveria shqiptare nisi një fushatë ndërgjegjësimi vjeshtën e shkuar për të nxitur qytetarët të investonin në tituj, sidomos bono, pasi normat ishin tepër të larta, shumë pranë 7% ndikuar nga rritja e normës bazë të interesit nga BSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë