Politike

Incineratorët në javën finale, dëshmojnë ministrat dhe Rama. Thelbi i dy raporteve që po përgatisin palët

Komisioni parlamentar i ngritur për hetimin e koncesioneve të incineratorëve mbylli një javë të ngjeshur me marrjen në pyetje të zyrtarëve vendorë, zyrtarëve dytësore të ministrive, gazetarëve investigativë dhe anëtarëve të komisioneve të vlerësimit që firmosën dhënien e këtyre tenderave.

Të hënën, Komisioni do të rinisë seancat e marrjes në pyetje, para se t’i përfundojë afati i hetimeve më 25 shkurt. Para këtij komisioni kanë konfirmuar pjesëmarrjen ministrat e qeverisë, Gjiknuri, Ahmetaj, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi dhe vetë Kryeministri Edi Rama, ndërsa disa emra, si deputeti Alqi Bllako dhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi pritet që të mos paraqiten në Komision, pasi të premten dëshmuan në SPAK për disa orë në lidhje me këto koncesione.

Mes PS dhe PD ka ndasi të mëdha në mënyrën se si i shohin dy palët këto koncesione. Për PD është një skemë e mirëfilltë korrupsioni me kosto 430 mln euro për xhepat e shqiptarëve, ndërsa për PS janë investime strategjike në shërbim të mjedisit dhe komuniteteve, por që kanë problematika “normale” sa i takon korrupsionit për të cilat po heton SPAK.

Për këtë arsye, Komisioni do të dalë me dy raporte të kundërta me njëri-tjetrin, që do t’i paraqiten Kuvendit për miratim në seancë plenare. PD ka gati shtyllat e raportit të vet, në të cilin do të flitet për “aferën korruptive më të madhe të 30 viteve të fundit”. Raporti do të bazohet te dëshmitë kontradiktore të siguruara nga administratorët, transfertat e shpeshta të parave, pagesat e kryera për punë të pakryera nga ana e kompanive dhe rrogat e larta të drejtuesve të inceneratorëve.

Sipas PD, në këtë aferë janë të përfshirë nivelet më të larta të Qeverisë, madje deri edhe vetë Kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë, PS do ta bazojë raportin e vet te ndryshimet që kanë sjellë tre investimet në mjedis dhe përpunimin e mbetjeve në Elbasan, Fier dhe sidomos në Sharrë. Raporti i socialistëve, nga sa mëson Gazetasi.al, do të nxisë autoritetet e drejtësisë dhe SPAK që të çojë deri në fund hetimet e nisura, por ndryshe nga demokratët, socialistët nuk do të flasin për një skemë korruptive, por për afera korruptive individuale dhe po individualisht duhet të jepet llogaria para drejtësisë.

Bilanci i javës së parë të dëshmive

Dëshmitë e deritanishme nxorrën në pah disa kundërshti në lidhje me të tre inceneratorët. Në rastin e atij të Tiranës, administratorja nuk mohoi para komisionit se janë marrë para nga buxheti i shtetit për ndërtimin e këtij impianti, përkundër një premtimit të bërë në 2017-n nga Damian Gjiknuri, në atë kohë ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës, që tha se kompania private do të investonte 128 mln euro.

Komisioni zbuloi gjithashtu edhe një dokument të 2015-s, ku kompanisë “Albtek Energy” që kishte në zotërim inceneratorin e Elbasanit i jepej me koncesion prodhimi i Energjisë me 25 vite të tjera, megjithëse shtatë do të dorëzonte në dhjetor të 2021 impiantin në dorë të shtetit.

Po në Elbasan u zbulua se inceneratorit aktualisht nuk prodhon energji, përkundër deklaratave që punonjës dhe inxhinierë të tij u bënë deputetëve të komisionit gjatë vizitës në terren te ky impiant. Administratori i këtij inceneratori tha se prej të paktën një muaji nuk prodhohet energjisë sepse ka kosto të lartë.

Ai tha gjithashtu se ky inceneratori kishte prodhuar rreth 13 milionë kë energji, që ishte përthithur nga OSHEE, por që nuk ishte paguar për shkak se Enti Rregullator i Energjisë, megjithëse e ka licencuar për këtë aktivitet, nuk i ka përcaktuar çmimin e shitjes. Për këtë, tha administratori, ka nisur një proces gjyqësor ndaj ERE-s.

Kundërthëniet më të mëdha u vunë re në inceneratorin e Fierit, ku ish-administratori dhe administratori aktual kundërshtuan njëri-tjetrin. Artec Myrtezani, ish-administratori i “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” mohoi se ka përfituar një pagë prej 9 mln lekësh në janar të 2021.

“Nëse është kështu, më paskan vjedhur. Më ktheni lekët. U kërkoj të dyja palëve që të më japin lekët!”, tha ai duke qeshur para komisionit hetimor parlamentar gjatë dëshmisë së tij.

Administratori aktual, Loran Dusha tha gjithashtu se Arenc Myrtezani nuk është paguar 9 mln lek, por se në janar 2021 ka marrë një bonus për performancë të mirë në punë. Por, nga PD kundërshtuan duke thënë se pagesa në të vërtetë ishte skemë e pastrimit të parave të korrupsionit.

E gjithë dëshmia e Administratorit të incineratorit të Fierit u krye online pasi ai kishte dorëzuar më herët në Komision një test ku deklaronte se ishte i infektuar me Covid. Gjatë dëshmisë, ai tha se “nuk mbante mend” se ku ishin shpenzuar 23 mln eurot që kompania kishte përfituar para 2019-s, se nuk e dinte kush ishte “pika e kontaktit e kompanisë në Qeveri”, se për herë të fundit me Klodian Zoton ishte takuar para festave të nëntorit, ndërsa takimin e fundit me Mirel Mërtirin s’e mbante mend kohën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë