Drejtësia

Incineratorët, Tabaku takon Krajën: Nuk ka mbivendosje të hetimeve

Gazeta Si - Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku zhvilloi këtë të hënë një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja, ku ka mohuar të ketë një mbivendosje të punës nga ana e Komisionit Hetimor në Kuvend, ku ajo është kryetare.

Tabaku u shpreh se takimi mes të dyve u realizua pas kërkesës së saj si kryetare e Komisionit Hetimor për Incineratorët.

Deputetja demokrate tha se e ka siguruar Krajën që Komisioni Hetimor do t’i vendosë në dispozicion të gjitha dokumentet që ka.

“E sigurova Krajën se do t’i vendosim në dispozicion të gjitha dokumentet që ne kemi. Po mbështesim SPAK-un. Nuk ka mbivendosje të punës së Komisionit për Incineratorët. Takimi u kërkua nga unë si kryetare e Komisionit”, tha Tabaku.

Gjatë seancave në Komisionin Hetimor, Tabaku ka kërkuar më shumë informacion nga dëshmitarët, të cilët kanë pretenduar se nuk mund të japin detaje, si persona që janë marrë në pyetje nga SPAK.

Në lidhje me takimin e kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, u shpreh se takimi është bërë me kërkesë të Tabakut, duke theksuar se prokurorët janë të pavarur në veprimtarinë e tyre hetimore, në vendimarrjen e tyre dhe do të analizojnë me ligjshmëri, objektivitet dhe paanësi çdo pretendim, indicje apo provë që paraqitet nga të gjithë palet që kanë dijeni rreth procesit për të cilin po hetohet.

"Prokuroria e Posaçme është e vendosur që të administrojë çdo fakt dhe çdo indicje që lidhet me hetimin e procedimeve penale të regjistruara për çështjen e inceneratoreve, ngado që të vijnë, aq më shumë nga Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Prej javësh të Komisionin Hetimor për Inceneratorët ka nisur marrja në pyetje e dëshmitarëve për koncensionet e 3 inceneratorëve.

Të parët që janë thirrur janë tre administratorët e inceneratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. “Shteti ka tenderuar para për inceneratorët që nuk ekzistojnë”, kjo ka qenë deklarata e përsëritur nga Kryetarja e komisionit Hetimor Jorida Tabaku.

Pak ditë më parë lidhur me inceneratorin e Fierit, u morën në pyetje nga SPAK, deputeti socialist Alqi Bllako dhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi. Ndërkohë, vijon të jetë në burg, ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka.

Procesi i hetimit përfundon me datë 25 shkurt dhe dëshmitarët do të thirren të ndarë në dy grupe.

Në fund të punës së këtij komisioni do të dalin edhe 2 raporte një nga opozita dhe një nga mazhoranca për të punën dhe gjetjet e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë