Bota

“Incidenti” në centralin bërthamor, Irani akuzon Izraelin dhe premton hakmarrje

Irani akuzon Izraelin se qëndron pas “incidentit” në centralin bërthamor të Natanzit, duke lënë të kuptohet se disa centrifugë u dëmtuan dhe ka premtuar një "hakmarrje" në momentin e duhur.

"Sionistët donin të hakmerreshin kundër popullit iranian për suksesin e tyre në rrugën e lehtësimit të sanksioneve", tha ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif. "Por ne, nuk do ta lejojmë atë dhe do të hakmerremi".

“Impianti do të rindërtohet, - shtoi Zarif, - me makineri më të përparuara dhe kjo mund të rrezikojë bisedimet e vazhdueshme në Vjenë me fuqitë botërore për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit”.

Ministri argumentoi se sabotimi i Izraelit do të forcojë Teheranin në negociatat për kthimin e SHBA-ve në marrëveshjen bërthamore dhe heqjen e sanksioneve.

Ai raportoi mbi zhvillimet e bisedimeve të filluara në Vjenë për kthimin e mundshëm të SHBA-ve në marrëveshjen bërthamore, e cila do të rifillojë të mërkurën.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif

"Nëse ata mendonin se incidenti do të na vinte në disavantazh në negociata, duhet të kuptonin që ky akt i dëshpëruar, do ta bënte pozicionin tonë edhe më të fortë".

Më herët, burimet e inteligjencës amerikane, kishin folur për rolin e Izraelit në sabotimin e uzinës së pasurimit të uraniumit iranian, i cili ka qenë prej kohësh gur themeli i programit bërthamor të Teheranit, sipas gazetës “New York Times”, e cila citon burime të inteligjencës amerikane.

Incidenti ndodhi të dielën në mëngjes në uzinën, ku sapo ishin përuruar centrifugat e reja të ndaluara nga marrëveshja e vitit 2015.

Sabotimi i pretenduar, ka ndikuar në rrjetin elektrik të impiantit Chahid-Ahmadi-Rochan, pa shkaktuar as viktima dhe as rrjedhje të materialit radioaktiv.

Është një "akt terrorizmi", ka akuzuar menjëherë Ali Akbar Salehi, kreu i agjencisë atomike iraniane, duke kërkuar marrjen e një pozicioni  nga "komuniteti ndërkombëtar dhe IAEA (Agjencia Ndërkombëtare për Eneregji Atomike)".

Nga Izraeli, ishte televizioni publik izraelit, “Kan”, ai që ka pretenduar autorësinë e shtetit hebre në sulm, duke vënë në pikëpyetje "burimet e inteligjencës", sipas të cilave, ishte një "operacion kibernetik izraelit, në të cilin ishte i përfshirë Mossadi (Agjencia Izraelite e Inteligjencës)”.

Të njëjtat burime, pretendojnë se dëmi i shkaktuar uzinës, është më i madh se sa raportoi Teherani. Ndërkohë, Këshilli i Mbrojtjes i qeverisë izraelite është mbledhur të dielën, pas një pauze prej dy muajsh, për të shqyrtuar tensionet në rritje me Iranin.

Centrali bërthamor në Natanz në Iran

Nga kryeministri Benjamin Netanjahu, erdhi një lloj deklarate lufte që tingëllon si konfirmim. "Lufta kundër Iranit dhe metastazave të tij, kundër armëve të Teheranit, është një detyrë e madhe. Situata aktuale, nuk është domosdoshmërisht e lidhur me të nesërmen", - u tha ai shefave të sigurisë në një takim përpara Ditës së Pavarësisë.

"Ne sigurisht që jemi një fuqi rajonale, por në një farë mënyre edhe globale. Unë shpresoj për të gjithë ne, që ju të vazhdoni të mbani shpatën e Davidit në duart tuaja", - shtoi Netanjahu.

Pas shpërthimit të korrikut 2020, gjithashtu në Natanz dhe vrasjes në nëntor të shkencëtarit Mohsen Fakhirzadeh, për të cilën Irani i ka atribuuar përgjegjësi Izraelit, faktet e këtyre ditëve ngrenë tensionin e një skenari në Lindjen e Mesme, në të cilin administrata e re e SHBA-ve, përpiqet të rikonfirmojë një rol të moderimit pa hequr dorë dhe mbajtur të forcuar në fakt aleancën historike me Izraelin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë