Politike

Shehaj denoncon: Po kompromentohet procesi! Vëzhguesit e mi nuk lejohen në qendrat e votimit

Agron Shehaj denoncon se vëzhguesve të tij nëpër qendrat e votimit për kryetar të Partisë Demokratike po u ushtrohet presion dhe në disa prej tyre janë nxjerrë jashtë, duke vijuar procesin me zgjedhor vetëm me përfaqësuesit e Lulzim Bashës në sallë.

“Ne jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë. Fatkeqësisht, më duhet të them se, në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e mi po përjashtohen, po ndalohen apo po pengohen që të monitorojnë procesin. Në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë vëzhguesit e mi janë përjashtuar ose nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e votimit. Procesi i votimit në këto degë po komprometohet rëndë, sepse po zhvillohet pa praninë e vëzhguesve tanë dhe po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati”, thotë Shehaj.

Në qendra të tjera, denoncon Shehaj, vëzhguesit e tij po mbahen larg dhe nuk po lejohen që të verifikojnë nëse personat që votojnë kanë të drejtë vote apo jo.

“Kjo gjë po ndodh aktualisht në degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat. Madje në Devoll dhe Dibër po i lejojnë të votojnë masivisht pa asnjë kontroll. Vëzhguesit tanë nga terreni kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së”, vijon deklarata.

Shehaj thotë se në Durrës kanë shtuar një listë të re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë.

“Votimet në PD kanë filluar me një standard demokratik shume të ulët. Iu bëj thirrje komisionerëve dhe drejtuesve të partisë të mos i kthejnë zgjedhjet në një farsë elektorale. Iu bëj thirrje demokratëve të thjeshtë që të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’u heqë të drejtën për të votuar”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë