Një situatë paradoksale, një sjellje vërtet skandaloze që pothuajse e detyroi Fabio Cannavaron dhe stafin e tij të kalonin Krishtlindjet larg familjeve të tyre. Historia daton në dhjetor, por ka dalë në dritë vetëm ditët e fundit, edhe për shkak se protagonistët nuk kanë bërë ndonjë deklaratë në lidhje me ngjarjen në javët e fundit. Fabio Cannavaro dhe stafi i tij italian u bllokuan dhjetorin e kaluar në Katar për 12 ditë, së bashku me të gjithë ekipin.
Gjithçka ndodhi në fillim të muajit të kaluar, pas eliminimit të ekipit kinez nga Champions Aziatik. Menjëherë pas eliminimit, drejtuesit e Guangzhou Evergrande urdhëruan ekipin dhe stafin teknik të qëndronin në hotel. Fillimisht mendohej se ky ishte një protokoll sigurie i lidhur me Covid. Por sipas La Gazzetta dello Sport ishte një trajtim ndëshkues i vendosur nga drejtuesit kundër teknikut italian, për eliminimin dhe mbase edhe më shumë për humbjen në finalen e kampionatit me Jiangsu Suning. Vendimi mund të lidhet gjithashtu me nyjën e pazgjidhur kontraktuale. Pas dymbëdhjetë ditësh, kthesa: klubi urdhëron Cannavaro të kthehet në Kinë, pavarësisht nga fakti se sezoni kishte mbaruar dhe pa ndonjë arsye.
Qëndrimi “i detyrueshëm” përfundoi vetëm falë ndërhyrjes së ambasadës italiane në Katar, e cila – sipas asaj që rindërton Gazzetta – i vuri në dispozicion Cannavaros dhe stafit të tij një avion. Ai aktualisht ndodhet në Kinë për të rishikuar kushtet e marrëveshjes së tij me klubin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.