Politike

Inceneratori i Tiranës, Zhupa: Të hetohet Veliaj, nuk e kaloi në Këshillin Bashkiak

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, i ka kërkuar SPAK që të vendosë para drejtësisë të gjithë zyrtarët e lartë të përfshirë në atë që ajo e cilëson si afera e inceneratorit të Tiranës.

“Ligji detyron që tenderi zgjat 52 ditë, ndërsa për qeverinë Rama vetëm 16 ditë. Duke bërë kështu shkeljen e parë për Inceneratorin e Tiranës. Por pse u bë kjo shkelje? Sepse fituesi ishte i paracaktuar dhe ishte Mirel Mërtiri, i cili nuk është i panjohur por që kishte marrë dhe dy inceneratorët e tjerë, atë të Elbasanit dhe Fierit përmes të afërmve  të tij.

Mirel Mërtiri është shok me Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknurin, dhe me gjithë grupin e strukturuar kriminal që e firmosën këtë aferë, me Ëngjëll Agaçin me Edi Ramën. Kjo kontratë që është firmosur nga vetë kryeministri dhe më poshtë nga Lefter Koka, ka kaluar në një sitë nga KLSH, raporti i të cilit i është vendosur në dispozicion dhe Komisionit të Inceneratorëve.

Sipas KLSH kjo kontratë është e falsifikuar. Në kontratë thuhet se qytetarët do të paguajnë 29 euro për njësi ndërkohë që realisht qytetarët paguajnë 41 euro për njësi. Këtë e ka thënë Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Kjo është shkelja tjetër që ne evidentojmë, këto prova janë arsyeja pse Komisioni Hetimor po pengohet nga socialistët. Kjo skemë nuk kishte si të mos përfshinte dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Shkresa për të marrë mendim i është dërguar të 5-tave bashkive të qarkut Tiranë...”, tha Zhupa duke vijuar më tej.

“Në vend që shkresa t’i dërgohej Këshillit Bashkiak, Erion Veliaj nuk e kalon në Këshillin Bashkiak, e firmos vetë për të dhënë pohimin për inceneratorin e Tiranës. Jo vetëm që anashkalon Këshillin Bashkiak, por vendos edhe për 4 bashkitë e tjera të qarkut Tiranë. Pse e bën ai këtë shkelje, pse Erion Veliaj ka shkelur ligjin? Kjo është një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjet SPAK, ku duhet të zbulojë dhe rolin e Erion Veliajt në këtë aferë dhe pse e ka shkelur ligjin, çfarë përfitimesh ka pasur.

Vlera e koncesionit të inceneratorëve është sa 1% e buxhetit të shtetit, e kuptoni çfarë dëmi ekonomik ka shkaktuar kjo aferë”, tha Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë