Politike

Inceneratorët, Rama: Ecim përpara! Basha: Do të përfundosh në bankën e të akuzuarve

Kryeministri Edi Rama e cilëson debat absurd përplasjen me opozitën për çështjen e inceneratorëve dhe këmbëngul se pavarësisht akuzave, Qeveria do të ecë përpara me këtë projekt, duke e zgjeruar përtej Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

“Duan s’duan Lulëzimi dhe balonat e tij, Shqipëria do të pastrohet nga malet e plehrave, Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora e me radhë nuk do rë kthehen tek malet e plehrave të Saliut, e të partisë që ka program rrënimin e rrëmujën në çdo fushë të jetës shqiptare!”, reagoi Kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale në përfundim të konferencës për shtyp të Lulzim Bashës.

Rama thotë se kostoja e këtij shërbimi që ofrohet nga kompania private është më e ulët se në shumë vende të Bashkimit Europian.

“Sipas Lulëzimit nuk duhen paguar plehrat që shkojnë në Sharrë po duhen bërë mal me re helmi mbi Kombinat! Vazhdon të ngatërrojë investimin privat me pagesën 29€ për ton nga shteti, kur në Europë shtetet paguajnë deri 150€ tonin për të njëjtën gjë! Çfarë mjerimi ky debat absurd!”, vijon ai.

Kryeministri akuzoi opozitën se është zhytur në mjerim dhe se po mundohet të gënjejë shqiptarët.

“Merren me nënën time të ndjerë dhe shajnë si të dehur,e kujtojnë se do gënjejnë shqiptarët duke ua bërë të bardhën të zezë me balonat tabake e tauke që i nxjerrin nëpër dyert e fushave sanitare sa në Sharrë e sa në Fier, për të recituar vjershat e mjerimit që në fakt e mishërojnë!”, mbyllet reagimi i Ramës.

Basha iu kundërpërgjigj duke e paralajmëruar se për këtë aferë do të përfundojë para drejtësisë.

“Lëre viktimizimin për të fshehur vjedhjen. Plehrat e tua janë në çdo cep të Shqipërisë dhe 70 milionë euro kanë avulluar pa bërë asgjë. Trego ku i ke çuar lekët. Retorika boshe nuk të shpëton dot këtë herë. Atë që nuk e thua dot sot, do ta thuash nesër në bankën e të akuzuarve”, shkroi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë