Politike

Inceneratorët dhe sterilizimi, PD: Përgjegjësia jo personale, por bie tek Edi Rama

Gazeta Si - Për Partinë Demokratike, kryeministri Edi Rama duhet të mbajë "përgjegjësi për të gjithë strukturën shtetërore të vjedhjes dhe korrupsionit”.

Zëdhënësja e PD-së Mirela Karabina thotë se për 8 vite, kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kanë mbrojtur me pathos politikën e incenerimit të mbetjeve dhe projektet e qeverisë.

“Edi Rama sot duhet të mbajë përgjegjësi për të gjithë strukturën shtetërore të vjedhjes dhe korrupsionit të ngritur mbi inceneratorët, duhet të mbajë përgjegjësi për promovimin e politikave të dështuara që nuk kishin për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve por veshjen dhe justifikimin politik të një skeme të pastër shpërdorimi të fondeve të shtetit shqiptar. Një skemë e re vjedhje po lind nga dora e personit të dyshuar për korrupsionin me sterilizimin dhe check up, Ilir Beqja përpara se të futet në kategorinë e atyre që mbajnë përgjegjësi personale, po i jep Edi Ramës mundësinë e ndërtimit të projekteve të reja, të cilat sipas standardit të kësaj qeverie do të jenë vjedhje të reja mbi rrënojat e vjedhjeve të vjetra”, shprehet Karabina.

Për PD-në, këto projekte, që u provuan nëpërmjet hetimeve të SPAK se, janë skema korrupsioni të ideuara, drejtuara dhe administruara nga nivelet më të larta të hierarkisë qeveritare, i kanë kushtuar shtetasve shqiptarë 450 milion euro.

"Me dështimin e skemës së korrupsionit të inceneratorëve, qeverisë së “përgjegjësive personale”, i ka lindur nevoja për një skemë të re të zhvatjes së parave të taksapaguesve shqiptarë. Sipas të dhënave të disponuara nga Partia Demokratike, e të bëra publike edhe nga BIRN rezulton se Ilir Beqja, një tjetër zyrtar i lartë i qeverisjes që pritet se shpejti të mbajë përgjegjësi personale, në drejtimin e Agjencisë Shteterore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit te Ndihmës (SASPAC) e cila është në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama, i ka propozuar Qeverisë dy projekte për Qarqet Elbasan dhe Fier. Këto dy projekte të cilësuara si “Unike me rëndësi kombëtare” parashikojnë të vjelin nga buxheti i shtetit shumën prej 113 milion eurosh, shumë e cila ndahet në 50 milion euro për qarkun Elbasan dhe 63 milion euro për Qarkun Fier", theksoi Karabina.

Sipas PD-së, sot është më i domosdoshëm se kurrë miratimin i ligjit për vettingun e politikanëve, si dhe miratimi i një pakete ligjore kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK dhe organeve të drejtësisë për dënimin e korrupsionit edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë prej tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë