Politike

Inceneratorët, Basha: SPAK të ndërhyjë, po zhduken dëshmitarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha në bashkëbisedimin e së martës me gazetarët se personat kyç për kontratat e inceneratorëve po kërcënohen, ndaj dhe kërkoi ndërhyrjen e SPAK.  

“Prej më shumë se një jave i kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet për aferën e mafias së inceneratorëve. Një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia. Mafia e plehrave, presion mbi një prej personave kyçë në skemën mafioze të inceneratorëve, Stela Gugallja. Paralajmëroj SPAK-un se nëse ndonjë prej të dyshuarve kryesorë në aferën e plehrave largohet, do të jetë përgjegjësia e SPAK. Veprimi me urgjencë nga SPAK është parandalim i vjedhjes së mëtejshme të parave të shqiptarëve”, tha Basha.

Sipas tij, “të pandehurit sot duhet të ishin në arrest për të shmangur kërcënimin e dëshmitarëve apo zhdukjen e tyre në drejtim të paditur".

Basha nënvizoi se vetëm sot një pagesë 3 milion euro është lëvruar nga thesari për një kontratë me kosto dyfishe për PPP-në në rrugën e Arbrit.

38 milion euro, sipas tij, janë parashikuar në projektbuxhet për luks zyrash, 1.6 milion euro vetëm për zyrën e Ramës, ndërsa 120 milion për PPP-të. Sipas tij, vetëm me fondet e PPP-ve dhe luksit të zyrave, do garantohej gjysma e paketës së rimëkëmbjes.

Në fillim të konferencës, Basha tha se nga raportimet që i vijnë përditë rezulton se numri i të infektuarve që raportohet është shumë më i ulët se numri real i tyre.

“Numri i fataliteteve, po ashtu më i lartë seç raportohet. Edhe transparenca për COVID është kthyer në funksion të propagandës.

 Vetëm në spitalin e Matit janë mbyllur disa pavione për shkak të përhapjes së infeksionit.

Sistemi shëndetësor po del jashtë funksioni për shkak të shpërthimit të infeksionit në çdo pavion.

Ky kolaps i sistemit është emergjenca me akute që kanë sot shqiptarët.

Çdo përpjekje për të larguar vëmendjen nga kolapsi i sistemit shëndetësor është kriminal”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë