Lajme

Inagurohet Ambasada Amerikane në Jeruzalem, Shqipëria nuk merr pjesë

Është inaguruar në mesditë Ambasada Amerikane në Jeruzalem, Shqipëria nuk ka marrë pjesë.

Tirana zyrtare ka përforcuar qëndrimin kundër Izraelit.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka deklaruar për redaksinë e “Si” se nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me shtetin Hebre.
Kjo do të thotë që Tirana zyrtare nuk e pranon Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit e për rrjedhojë nuk ka dërguar përfaqësi në përurimin e Ambasadës Amerikane atje.

 

Anëtari i Komisionit të Jashtëm Tritan Shehu i ka kërkuar publikisht dje kryeministrit Rama dhe Ministrit të Jashtëm Bushati që të deklarojnë zyrtarisht nëse Shqipëria do të marrë pjesë në përurimin e Ambasadës Amerikane në Izrael apo jo.

 

Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, deputeti Shehu ka cituar se prezenca e Tiranës zyrtare në Jeruzalem do të ishte një rast ideal për të korrigjuar sadopak gabimet fatale të dhjetorit të Qeverisë sonë e me pasoja tragjike për shqiptarët atje.

 

 

Në pritjen për inagurimin, SHBA-të u përfaqësuan nga vajza e Presidenit Trump me të shoqin dhe Ministri Amerikan i Thesarit.

 

Nga BE ishin  prezent Austria, Republika Çeke, Hungaria dhe Rumania e 30 vende të tjera nga bota.

 

“Austria ka deklaruar se do të çelë ambasadën e saj në Jeruzalem. Ky është një hap më i përparuar për ne pasi kërkon edhe shpenzime financiare, por unë mendoj se ne duhet të përfaqësohemi. Të hedhim hapin e parë.”- thotë për redaksinë e ‘Si’, deputeti Tritan Shehu,

 

Sipas tij Politika e Jashtme diskutohet në tavolina informale. “Unë kam ditë që kam kërkuar sqarime dhe takime për këtë çështje, por askush nuk më është përgjigjur”- shprehet Shehu.  

 

Shqipëria në dhjetor 2017 u është bashkuar 56 vendeve të tjera anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në njohjen simbolike të Jeruzalimit Lindor si kryeqytet të Palestinës.

 

Ky veprim kishte për qëllim të kundërshtonte publikisht vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për njohjen de facto të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

 

Në deklaratën e takimit, të titulluar Liri për Al-Quds (emri në arabisht për Jeruzalemin), të miratuar edhe nga Shqipëria, ndër të tjera thuhej:

 

Ne hedhim poshtë dhe dënojmë deklarimin e paligjshëm të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me statusin e Al-Quds. Paqja mes Izraelit dhe Palestinës nuk mund të arrihet derisa “të mbarojë pushtimi izraelit i Jeruzalemit Lindor, Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës dhe kur palestinezët të jenë të lirë në atdheun e tyre.”

 

Takimi urgjent i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik u mbajt më 13 dhjetor 2017 nga Presidenti turk Rexhep Tahip Erdogan, si reagim ndaj vendimit të Presidentit Trump por edhe si tentativë për t’u konfirmuar si udhëheqës me peshë botërore


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë