Politike

Ina Zhupa ‘kërkon llogari’ për Butrintin, Kumbaro devijon debatin, flet për Zonat e Mbrojtura

Nga Gazeta Si- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa në interpelancën e saj me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, parashtroi disa pyetje sa i takon çështjes së parkut kombëtar të Butrintit. Ajo tha se një person që pret pyje quhet kriminel dhe dënohet, ndërsa ai që shfaros zona të mbrojtura quhet investitor strategjik.

“Edhe UNESCO ka reaguar për ndërtimin në një zonë të mbrojtur, në Butrint. Më sqaroni se si i shërben betoni mjedisit? Si i shpërben mjedisit shkatërrimi i lagunave dhe lumenjve. Ai që pret pyjet dënohet dhe quhet kriminel. Kurse një njeri që merr zonën e mbrojtur, shkatërron pemë dhe kafshë dhe quhet investitor strategjik. Ky është standardi që keni ndërtuar”, tha Zhupa.

Në përgjigjen e saj, Kumbaro e ka anashkaluar çështjen e Butrintit të përmendur nga Zhupa, duke folur vetëm për zonat e mbrojtura në tërësi.

Kumbaro tha se ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura synojnë të garantojnë një ekulibër mes zhvillimit të komuniteteve në zona me potencial turistik duke mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin.

“Vendosëm rregulla shumë të qarta për të gjetur zgjidhje të përbashkëta se si mund të bashkëjetojmë mes kritereve shumë të forta të mbrojtjes së natyrës por edhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm. Këtë bën ligji i ri i amenduar! Dhe filtrat që parashikon ligji në mbrojtje janë shumë të qartë, që nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura, te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, te Këshilli Kombëtar i Territorit”.

Sa i takon ligjit, Kumbaro sqaroi se është në përputhje me standardet ndërkombëtare të Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN) ku Shqipëria u anëtarësua për herë të parë në vitin 2024.

Në vijim të fjalës së saj, Ministrja Kumbaro përmendi edhe gjithë vendimet e mazhorancës që ndër vite e kanë rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të territorit të Shqipërisë.

Ina Zhupa, pas fjalës së Kumbaros, tha se nuk ishte aspak e surprizuar ajo, duke shtuar se “ishte siç e prisja, pa argument, pa të vërteta”.

“Nuk argumentove pse u dashka të ndërtohet në zonat e mbrojtura. Sipas ligjit tuaj, nëse një zonë e mbrojtur ndryshohet, humbet shkallën e mbrojtjes” tha Zhupa e cila shton se mund të rritet sipërfaqja e zonave të mbrojtura, por për aq kohë sa të ndërtohet në ato zona, nuk përbën më diferencë shkalla e mbrojtjes.

“Nuk na the çfarë të mire i sjell turizmit kur ti shkatërron zona të mbrojtura. Ligjin e kë bërë për oligarkët, jo për qytetarët. Ne kemi një ligj që nuk parashikon dëmin që do sjellë në mjedis. Shkatërron aktivitet e vogla që mund të bëjnë komunitetet lokale, aktivitete që nuk e cenojnë vlerën e zonës. Çfarë të mire I sjell banorit një resort”, argumentoi Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë