Politike

Ina Zhupa: Gjiri i Gramës të futet në UNESCO, po shkatërrohet me zhgarravina  

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka kërkuar që Gjiri i Gramës të futet në Listën e Pasurive të Trashëgimisë Botërore të mbrojtura nga UNESCO

“Me një kërkesë zyrtare të datës 10 shtator 2023 i jam drejtuar Drejtorit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Paris për të konsideruar futjen e Gjirit të Gramës në pasuritë botërore UNESCO.

Kërkesën e kam shoqëruar me një Deklaratë të Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të Gjirit të Gramës, të mbështetur në kriteret e posaçme të nominimit, si dhe me përshkrimin e integritetit, autenticitetit dhe rrezikut iminent të Pasurisë.

Sipas një studimi të Profesor Neritan Cekës, në Gjirin e Gramës ka me qindra inskriptime të gdhendura qysh në shekullin e VI para erës së re, kur Gjiri përdorej si gurore, dhe në vijim, ku personalitete të shquara, detarë e udhëtarë të tjerë, ndaleshin aty për të shmangur stuhitë jo të rralla të Kanalit të Otrantos, duke na lënë edhe sot e gjithë ditën ‘kartëvizitat’ e tyre të gdhendura në shkëmb.

Të gjithë shqiptarët fitojnë nëse Gjiri i Gramës renditet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”, shkruan Zhupa në faqen e saj Facebook.

Ajo nënvizon se kërkesa e saj u bë “pas denoncimit publik të gazetarit Blendi Fevziu, mbi vandalizmin dhe shkatërrimin e mbishkrimeve në Gjirin e Gramës”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë