Njerez

Im bir, Osama: E ëma rrëfen kohën para se Bin Laden të bëhej terrorist   

Alia Ghanem në shtëpinë e saj në Xheda, Arabi Saudite. Fotografia: David Levene për The Guardian

Martin Chulov/ The Guardian - Në kolltukun e qoshes në dhomën e madhe, një grua që ka veshur një rrobë dhome me ngjyra të ndezura, ulet siç pritet. Hixhabi i kuq që i mbulon flokët pasqyrohet në një dollap me dyer prej  xhami; brenda, një fotografi në kornizë e të parëlindurit të saj shfaqet krenar në vendin mes plaçkave të vyera të familjes. Një portret i qeshur, me mjekër, i veshur me xhaketë ushtarake shfaqet në fotografi përreth dhomës: vendosur pas murit në këmbë  e saj, tek pushon mbi një sergjen oxhaku. Një darkë me meze saudite dhe një tortë djathi me limon janë vendosur në një tavolinë të madhe e të drunjtë ngrënieje.

Alia Ghanem është e ëma e Osama Bin Laden-it dhe ajo zotëron vëmendjen e të gjithëve në dhomë. Në karriget pranë ulen dy djemtë e saj të mbetur gjallë, Ahmad-i dhe Hassan-i dhe bashkëshorti i saj i dytë, Mohammed al-Attas, burri i cili i rriti të tre vëllezërit. Secili në familje ka historinë vetjake për të rrëfyer rreth burrit të lidhur me lindjen e terrorizmit global; por është Ghanem-i  që kuvendon sot, duke e përshkruar burrin, i cili është ende biri i dashur, që në një farë mënyre humbi rrugën. “Jeta ime ka qenë shumë e vështirë për shkak se ishte shumë larg meje”, thotë ajo, duke folur me besim. “Ka qenë fëmijë shumë i mbarë dhe më ka dashur shumë.” Tashmë, në mes të të shtatëdhjetave dhe në shëndet të lëkundshëm, Ghanem-i tregon nga al-Attas – një burrë i hollë, i veshur mirë, si të dy djemtë e tij, në një tobe të bardhë hekurosur me kujdes, një veshje e mbajtur nga burrat nëpër gadishullin arabik. “Ai e ka rritur Osama-n që nga mosha 3 –vjeçare. Ka qenë burrë i mirë dhe i dashur me Osama-n.”

Familja është mbledhur në një qoshe, në vilënqë tani ndajnë bashkë në Xheda, qyteti i Arabisë Saudite që ka qenë shtëpi e klanit të Bin Laden-it për breza. Ata mbeten një nga familjet më të pasura të mbretërisë: perandoria e tyre dinastike  e ndërtimit  ka ndërtuar pjesën më të madhe të Arabisë moderne dhe është thellësisht i ndërlidhur me establishmentin e vendit. Shtëpia e Bin Laden-ëve  pasqyron pasurinë dhe ndikimin e tyre, një shkallë e madhe spirale në qendrën e saj të çon në dhomat shpellore. Ramazani ka ardhur dhe ikur dhe tasat me hurma e çokollata që shënjojnë festimet tri ditore që ndjekin muajin e agjërimit,  qëndrojnë në tavolina nëpër të gjithë shtëpinë.Çifligjet e mëdha përvijojnë pjesën tjetër të rrugës: kjo është Xheda për së mbari dhe ndërsa nuk ka asnjë rojë jashtë, Bin Laden-ët janë banorët më të njohur të lagjes.

Afro 17 vjet pas 11 shtatorit, Familja e Osama Bin Laden-it mbetet pjesë me ndikim për shoqërinë saudite , si edhe një përkujtuese e momentit më të errët në historinë e mbretërisë. A munden ata t’i ikin trashëgimisë së tij?

Për vite me radhë, Ghanem ka refuzuar të flasë rreth Osama-s ashtu siç ka bërë edhe familja e tij e madhe – përgjatë mbretërimit të tij prej dy dekadash si lideri i al-Qaida-s , një periudhë që pa sulmet në Nju Jork dhe Uashington dhe përfundoi më shumë se 9 vjet më pas,  me vdekjen e tij në Pakistan. Tani, lidershipi i  ri i Arabisë Saudite – kryesuar nga 32 -vjeçari trashëgimtar ambicioz i fronit, Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman – ka pranuar kërkesën time për të folur me familjen. (Si një nga familjet me më shumë ndikim të vendit, lëvizjet dhe angazhimet e tyre janë shumë të monitoruara.)

Trashëgimia e Osama-s është një gur i rëndë varri si për mbretërinë, ashtu edhe për familjen e tij dhe zyrtarët e vjetër besojnë se, duke lejuar familjen Bin Laden të rrëfejnë historinë e tyre, ata mund të tregojnë se një i dëbuar – dhe jo një agjent – ishte përgjegjës për 11 shtatorin. Kritikët e Arabisë Saudite kanë pretenduar prej kohësh se Osama ka pasur mbështetje nga shteti dhe familjet e viktimave të shumtë të 11 shtatorit kanë ndërmarrë ( deri tani pa sukses) veprime ligjore kundër mbretërisë. Pesëmbëdhjetë nga nëntëmbëdhjetë rrëmbyesit e avionëve ishin nga Arabia Saudite.

Siç pritej, familja e Osama Bin Laden-it janë të kujdesshëm në negociatat fillestare; nuk janë të sigurit nëse hapja e plagëve të vjetra do të dëshmohej shëlbyese apo e dëmshme. Por pas disa ditëve diskutimesh, janë gati të flasin. Kur i takojmë, në një ditë të nxehtë, në fillim qershori, një rojë nga qeveria saudite ulet në dhomë, megjithëse nuk bën përpjekje për të ndikuar në bashkëbisedim. (Na bashkohet gjithashtu një përkthyes.)

“Takoi ca njerëz që i bënë shpëlarje truri në fillim të të njëzetave. Mund ta quash kult”

E ulur, mes dy vëllezërve nga nëna  të Osama-s, Ghanem e kujton të parëlindurin e saj si një djalë të ndrojtur, i cili ishte i aftë nga ana akademike. Ai u bë një figurë e fortë, me tërheqje fetare në fillim të të njëzetave, thotë ajo, kur studionte shkenca ekonomike në Universitetin Mbreti Abdulaziz në Xheda, ku edhe u radikalizua. “Njerëzit në universitet e ndryshuan,”, thotë Ghanem.”Ai u bë njeri tjetër.” Një nga burrat që njohu atje ishte Abdullah Azzam, anëtar i Vëllazërisë Myslimane , i cili u dëbua më vonë nga Arabia Saudite dhe u bë këshilltari shpirtëror i Osama-s. “Ai ishte fëmijë shumë i mbarë,  derisa njohu ca njerëz që i shpëlanë trurin,  kur ishte njëzet vjeç. Mund ta quash kult. Ata kishin para për kauzën e tyre. Gjithnjë i thosha t’u rrinte larg dhe kurrë nuk do e pranonte para meje se çfarë po bënte, ngaqë më donte shumë.”

Në fillim të viteve ’80, Osama udhëtoi drejt Afganistanit për të luftuar pushtimin rus. “Të gjithë që e njohën në ato ditë të hershme e respektonin”, thotë Hassan-i, duke ndjekur fillin e rrëfimit. “Në fillim ishim shumë krenarë për të. Edhe qeveria saudite do e trajtonte në mënyrë fisnike dhe me respekt. Dhe më pas doli Osama, muhaxhidi.

Osama bin Laden, i dyti  nga e djathta, në një vizitë në Falun, Suedi, më 1971-shin. Foto: Camera Press.

Një heshtje e gjatë, e sikletshme, vjen pas, ndërsa Hassan-i ka vështirësi të shpjegojë shndërrimin nga një i zellshëm në një xhihadist global. “Jam shumë krenar për të si  vëllai im i madh,” vijon ai. “Më ka mësuar shumë gjëra. Por nuk mendoj se jam shumë krenar për të si burrë. Ai arriti famën në shkallë globale dhe ishte për hiçgjë.”

Ghanem dëgjon me vëmendje, duke u gjallëruar më shumë kur biseda kthehet tek vitet e formimit të Osama-s. “Ishte shumë i drejtë. Shumë i mirë në shkollë. I  pëlqente shumë të studionte. I shpenzoi të gjitha paratë e tij në Afganistan – do të rrëshqiste nën maskimin e bizneseve të familjes.” A kishte dyshuar ndonjëherë ajo se ai do të bëhej xhihadist? “Kurrë s’më ka kaluar ndër mend.” Si u ndje  kur e kuptoi se ai u bë i tillë? “Ishim tejet të trishtuar. Do të kisha dashur që asgjë nga këto të mos ndodhte. Pse t’i flakte tutje të gjitha, kështu?”

Alia Ghanem Fotografia: David Levene për The Guardian

Familja thotë se e panë Osama-n për herë të fundit në Afganistan, më 1999-ën, një vit në të cilin e vizituan dy herë në bazën e tij, jashtë Kandaharit. “Ishte një vend pranë aeroportit, që e kishin marrë prej rusëve,”, thotë Ghanem. “Ishte shumë i lumtur që na priste. Shfaqej çdo ditë,  që qëndruam atje. Vrau një kafshë dhe festuam, ndërsa  i ftoi të gjithë.”

Ghanem nis të qetësohet dhe flet rreth fëmijërisë së saj në qytetin bregdetar sirian të Latakias, ku u rrit në një familje Alawite, një degëzim i Islamit Shia. Kuzhina siriane kishte epërsi ndaj asaj saudite, thotë ajo, dhe po ashtu edhe moti në Mesdhe, ku ajri i ngrohtë e i lagësht i verës kishte kontrast të madh me të nxehtin therës të Xhedasë,  në qershor. Ghanem lëvizi drejt Arabisë Saudite,  në mes të viteve ’50 dhe,  Osama lindi në Riad, më 1957 –ën. Ajo u nda nga babai i tij tre vjet më pas dhe u martua me  al-Attas, asokohe administrator në perandorinë e re të Bin Laden-ëve, në fillim të viteve ’60.  I ati i Osama-s bëri  54 fëmijë me të paktën 11 gra.

Kur Ghanem largohet për të pushuar në dhomën ngjitur, gjysmë-vëllezërit e Osama-s,  vijojnë bisedën. Është e rëndësishme, thonë, të kihet parasysh se, një nënë rrallë është një dëshmitare objektive. “Kanë kaluar 17 vjet tashmë, nga 11 shtatori dhe,  ajo vijon në fazë mohimi rreth Osama-s”, thotë Ahmad-i. “E donte aq shumë dhe refuzon ta fajësojë. Dhe në vend të tij, fajëson ata që kishte përreth. Ajo njeh vetëm anën e djalit të mirë, anën që të gjithë kishim parë. Ajo kurrë nuk e njohu anën e xhihadistit.”

Jam tronditur, thotë, duke iu referuar raportimeve të hershme nga Nju Jorku. “Ishte ndjesi shumë e çuditshme. E dinim nga fillimi (se ishte Osama), brenda 48 orëve. Nga më i riu te më i vjetri, të gjithë u ndjemë të turpëruar prej tij. E dinim të gjithë se do të përballeshim me pasoja të tmerrshme. Familja që ishte jashtë shtetit u kthyen në Arabi Saudite.” U shpërndanë në Siri, Liban, Egjipt dhe Europë. “Në Arabi Saudite iu ndalua hyrja. Ata u përpoqën me aq sa mundën të mbanin kontrollin mbi familjen.” Familja thotë se u morën të gjithë në pyetje nga autoritetet dhe, për një kohë iu ndaluar largimi nga vendi. Afro dy dekada më vonë, familja Bin Laden mund të lëvizë relativisht lirshëm brenda dhe jashtë mbretërisë.

Vitet e formimit të Osama Bin Laden-it në Xheda  erdhën relativisht shkujdesur në vitet ’70, përpara Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili synoi të eksportonte zellin shia në botën arabe të sunitëve.  Prej asaj kohe, sunduesit e Arabisë Saudite forcuan një interpretim më të rreptë të Islamit Suni – ai që është praktikuar gjerësisht në gadishullin arabik prej shekullit të 18-të, epoka e klerikut Muhammed ibn Abdul Wahhab. Në vitin 1744, Abdul Wahhab kishte bërë një pakt me atëherë sunduesin Mohammed bin Saud, duke lejuar familjen e tij të vazhdonte punët e shtetit, ndërsa klerikët e vijës së ashpër, përcaktonin karakterin kombëtar.

Alia Ghanem në shtëpinë në Xheda, Arabi Saudite, me të birin Ahmadin. Foto: David Levene për The Guardian



Mbretëria e kohëve moderne, e shpalli më 1932 –shin, duke lënë të dy anët –klerikët  dhe sunduesit – secilin shumë të fuqishëm për të rrëzuar tjetrin, duke e mbyllur shtetin dhe qytetarët e tij në një shoqëri të përkufizuar nga pikëpamjet arkaike e konservatore: veçimi i rreptë i burrave dhe grave të palidhur mes tyre; roli gjinor i pakompromis; një intolerancë e besimeve të tjera; dhe një besnikëri e patëmetë e mësimeve të doktrinës, të gjitha të vulosura nga Shtëpia e Saudit. Shumë besojnë se kjo aleancë ndihmoi drejtpërdrejt në ngritjen e terrorizmit global. Botëkuptimi i Al-Qaida- s dhe e degëzimeve të saj , Shteti Islamik (Isis) – u formësua nga shkrimet e Wahhabi-it; dhe klerikët sauditë u akuzuan gjerësisht se po inkurajonin një lëvizje xhihadiste që po rritej gjatë viteve 1990, me Osama bin Laden-in, në qendër të saj.

Reforma ka nisur  të zbutet në shoqërinë saudite; ndalimi i grave shofere është hequr, kinematë  janë hapur

Në vitin 2018, lidershipi i ri saudit dëshiron të heqë një vijë nën këtë epokë dhe ka prezantuar atë që bin Salman e quan “Islami i moderuar”. Këtë e sheh si thelbësore për mbijetesën e një shteti, kur një rini e madhe, e paqetë dhe shpesh e pakënaqur, për afro katër dekada ka pasur pak akses ndaj argëtimit, jetës sociale apo lirisë vetjake. Qeverisësit e rinj sauditë besojnë se normat kaq të rrepta shoqërore, imponuar nga klerikët, mund të rezultojnë në fidanishte për ekstremistët,  të cilët ushqehen në ndjenja të tilla të ndrydhjes.

Reforma po lëviz ngadalë në shumë aspekte të shoqërisë saudite; mes më të dukshmëve ishte heqja e ndalimit të grave shofere, në muajin qershor. Ka pasur ndryshime edhe në tregjet e  punës dhe një sektor publik më i fryrë; kinematë janë hapur dhe ka  një nismë anti-korrupsion lëshuar në sektorin privat dhe disa zona të qeverisë. Qeveria gjithashtu pretendon se ka ndalur financimin e të gjithë institucioneve Wahhabi jashtë mbretërisë, që kanë qenë mbështetur me zell misionar për afro katër dekada.



Një terapi kaq radikale e shokut po përthithet ngadalë nëpër vend, ku komunitetet e kushtëzuara ndaj dekadave të doktrinës së pakompromis nuk dinë gjithmonë ç’të bëjnë me të.

Kontradiktat gëlojnë: disa zyrtarë dhe institucione u shmangen konservatorizmit, ndërsa të tjerë me zemër e përqafojnë atë. Ndërkohë, liritë politike mbeten të kufizuara: pushteti është bërë më i përqendruar dhe disidenca shtypet vazhdimisht.

Trashëgimia e Bin Laden-it mbetet një nga çështjet më të ngutshme të mbretërisë. Takoj Princ Turki al-Faisal, i cili ka qenë kreu i inteligjencës saudite për 24 vjet, mes viteve 1977 dhe shtatorit të 2001-shit ( 10 ditë përpara sulmit të 11 shtatorit) në vilën e tij në Xhedah. Një burrë erudit tashmë në mes të të shtatëdhjetave, Turki mban butona të gjelbër manshete, me flamurin saudit, në mëngët e tobes së tij. “Ka dy Osama Bin Laden”, më thotë. “Një përpara fundit të pushtimit sovjetik të Afganistanit dhe një pas tij. Përpara ai ishte një muhaxhid shumë idealist. Nuk ishte luftëtar. E ka pranuar edhe vetë, se i ra të fikët në një betejë dhe kur u zgjua, sulmi sovjetik në pozicionin e tij ishte mposhtur.”

Ndërsa Bin Laden-i, lëvizi nga Afganistani drejt Sudanit, dhe ndërsa lidhjet e tij me Arabinë Saudite u ftohën, ishte Turki , i cili foli me të në emër të mbretërisë. Në zgjimin e 11 shtatorit, këto ujdi direkte, erdhën nën një vëzhgim të rreptë. Atëherë – dhe 17 vjet më pas – të afërmit e 2976 të vrarëve dhe më shumë se gjashtë mijë të plagosurve në Nju Jork dhe Uashington, refuzojnë të besojnë se një shtet që ka eksportuar një formë kaq arkaike dhe konservatore të besimit nuk ka të bëjë me pasojat.

Me siguri, Bin Laden udhëtoi drejt Afganistanit me dijeninë dhe mbështetjen e shtetit saudit, që ishte kundër pushtimit sovjetik; bashkë me Amerikën, sauditët armatosën dhe mbështetën ata grupe që e luftuan atë. Muhaxhidi i ri kishte marrë një pjesë të vogël të pasurisë së familjes me vete, të cilën e përdori për të blerë ndikim. Kur u rikthye në Xheda, trimëruar nga beteja dhe mposhtja e sovjetikëve, ai ishte një njeri tjetër. “Ai zhvilloi sjellje më politike rreth viteve ’90. Donte të dëbonte komunistët dhe marksistët e Jemenit jugor nga Jemeni. E prita dhe i thashë se ishte më mirë të mos përfshihej. Xhamitë e Xhedasë po përdornin shembullin afgan.” Me këtë,Turki e ka fjalën për leximin mendjengushtë të besimit, ekspozuar nga talebanët. “Ai po i nxiste ithtarët sauditë. Iu tha të ndalej.”

“Kishte një fytyrë pa emocione”, vijon Turki. “Kurrë nuk bënte grimasa apo të buzëqeshte. Më 1992 dhe 1993-shin, pati një takim të madh në Peshauar, organizuar nga qeveria e Nawaz Sharif-it.” Bin Laden –i në këtë pikë i ishte dhënë strehim nga liderët fisnorë afganë. “Pati një thirrje për solidaritet mysliman, për të shtrënguar ata liderë të botës myslimane që të mos prinin fytet e njëri-tjetrit. E pashë edhe atje. Sytë tanë u ndeshën, por nuk folëm. Nuk u kthye në mbretëri. Shkoi në Sudan, ku ndërtoi një biznes të mjaltit dhe financoi një rrugë.”

Mbrojtja ndaj Bin Laden-it u rrit  gjatë kohës së tij në mërgim. “Ai u çonte me faks deklarata kujtdo. Ishte shumë kritik. Kishte përpjekje nga familja për t’i kthyer mendjen – po ashtu edhe nga të dërguar të posaçëm – por pa sukses. Ndjente ndoshta se nuk po merrej seriozisht nga qeveria.

Rreth vitit 1996, Bin Laden u kthye në Afganistan. Turki thotë se mbretëria e dinte se kishte një problem dhe donte ta kthente. Ai fluturoi drejt Kandaharit për ta takuar atëherë kreun e Talebanëve, Mullah Omarin. “ Ai tha:  “Nuk jam kundër ta dorëzoj, por ka qenë shumë i dobishëm për popullin afgan.” Ai tha se Bin Laden-it i ishte dhënë strehim sipas diktatit islam.” Dy vjet më vonë, në shtator të vitit 1998, Turki udhëtoi edhe njëherë drejt Afganistanit, këtë herë për t’u refuzuar fuqishëm. “Në atë takim, ai ishte një burrë i tjetërsuar”, thotë për Omarin. “Shumë më i mbyllur, tek djersinte pa ndalur. Në vend të një toni të arsyeshëm, ai tha: “Si mund ta persekutosh këtë burrë të vyer që i ka dedikuar jetën ndihmesës së myslimanëve?”” Turki thotë se e paralajmëroi Omarin se ajo që po bënte do të lëndonte popullin e Afganistanit dhe u largua.

Vizita e familjes në Kandahar ndodhi vitin pasues dhe erdhi pas një goditjeje të një rakete amerikane në një prej bazave të Bin Laden-it – një përgjigje ndaj sulmeve të al-Qaida-s në ambasadat amerikane në Tanzani dhe Kenia. Dukej se enturazhi i familjes nuk e pati të vështirë të gjente njeriun e tyre, kur rrjetet e inteligjencës saudite dhe perëndimore nuk mundeshin.

Sipas zyrtarëve në Riad, Londër dhe Uashington, Bin Laden ishte bërë atëkohë shënjestra numër një e kundër-terrorizmit në botë, një burrë që ishte prirutr të përdorte qytetarët sauditë për të udhëhequr një çarje mes qytetërimit të lindjes dhe perëndimit. “Nuk ka dyshim se ai zgjodhi qytetarë sauditë për sulmin e 11 shtatorit”, më thotë një oficer britanik. “Ishte i bindur se do ta kthente perëndimin kundër atdheut të tij. Ia doli në fakt në nxitjen e luftës, por jo atë që ai priste.”

Turki pretendon se në muajt përpara 11 shtatorit, agjencia e tij e inteligjencës e dinte se diçka trazuese po planifikohej. “Në verën e vitit 2001, mora një paralajmërim rreth diçkaje spektakolare që do u ndodhte amerikanëve, britanikëve, francezëve dhe arabëve. Nuk e dinim ku, por e dinim se diçka po mbillej.”

Bin Laden mbetet një figurë popullore në disa pjesë të vendit, i lëvduar prej atyre që besojnë se ishte vepër e Zotit. Thellësia e mbështetjes, megjithatë, është e vështirë të matet. Ajo çka mbetet nga familja e tij e afërt, ndërkohë, u lejua të kthehen në mbretëri: të paktën dy nga gratë e Osama-s (njëra prej të cilave ishte me të në Abotabad, kur u vra nga forcat speciale amerikane ) dhe fëmijët e tyre tani jetojnë në Xheda.

“Kemi pasur marrëdhënie shumë të mirë me Mohammed bin Nayef ( ish-princi i kurorës)”, më thotë gjysmë vëllai i Osama-s, Ahmad-i ndërsa një shërbyese shtron tavolinën pranë. “Ai i la gratë dhe fëmijët të ktheheshin.” Por ndërkohë që kanë liri veprimi brenda qytetit, nuk mund të dalin nga mbretëria.

I biri i Osama-s, Hamzai, mund të mjegullojë përpjekjen  e familjes për të shkundur të shkuarën.

E ëma e Osama-s, i bashkohet sërish bisedës. “Flas me haremin e tij shpesh”, thotë ajo. “Jetojnë këtu pranë.” Motra nga e ëma e Osama-s dhe motra e dy burrave, Fatima al-Attas, nuk ishte në takimin tonë. Nga shtëpia e saj në Paris, ajo më pas më dërgon e-mail për të thënë se është kategorikisht kundër intervistës së të ëmës, duke kërkuar që të rregullohej prej saj. Pavarësisht bekimeve të të vëllezërve dhe të atit, ndjeu se e ëma u vu në presion për të folur. Ghanem, megjithatë, ngulmon se ishte e lumtur që mundi të fliste dhe do të kishte folur edhe më gjatë. Është, ndoshta, një shenjë e statusit të komplikuar të familjes në mbretëri , shkak që ekzistojnë këto tensione. E pyes familjen rreth djalit më të vogël të Bin Laden-it, 29 -vjeçarin Hamza, i cili mendohet të jetë në Afganistan. Vitin e kaluar ai u përcaktua zyrtarisht si “terrorist global”, nga ShBA dhe duket se ka marrë mantelin e të atit, nën profecinë e liderit të ri të al-Qaida - s dhe ish-zëvendësit të Osama-s, Ayman al-Zawahiri.

I ungji tund kryet. “Mendonim se të gjithë e kishim kaluar këtë,” thotë Hassan-i. “Pastaj gjëja tjetër që di, ishte Hamzai që thoshte: “ Do të hakmerrem për tim atë.” Nuk dua ta kaloj sërish këtë. Nëse Hamzai do të ishte përballë meje tani, do i thosha: “Zoti të udhëheqtë! Mendo mirë se ç’po bën. Mos ndiq hapat e tët eti!  Po hyn në pjesë të tmerrshme të shpirtit tënd.”

Por ngritja e vazhdueshme e Hamza Bin Laden-it i ka mjegulluar përpjekjet e familjes për të shkundur të shkuarën e tyre. Mund edhe të ketë penguar përpjekjet e princit të kurorës për t’i dhënë formë një epoke të re, në të cilën Bin Laden është flakur si një shmangie e brezave  dhe, në të cilën doktrinat e forta janë sanksionuar nga mbretëria duke mos ofruar më legjitimitet ndaj ekstremizmit. Ndërsa ndryshimi është përpjekur në Arabinë Saudite edhe më parë, nuk ka qenë kurrë kaq i shtrirë sa me reformat aktuale. Sesa fort mund të shtyjë Mohammed bin Salman kundër një shoqërie të indoktrinuar  në një botëkuptim kaq të pakompromis mbetet një pyetje e hapur.

Aleatët e Arabisë Saudite mbeten optimistë, por ofrojnë një notë kujdesi. Një oficer i inteligjencës britanike me të cilin kam folur më tha: “Nëse Salman nuk ia del, do të ketë shumë Osama të tjerë. Dhe nuk jam i sigurt se do të jenë më në gjendje të ndërrojnë kurs.”

*Përktheu Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë