Treg

Iluzioni i fitimeve të shpejta në tregun imobiliar

Sabina Veizaj - Blerina Duka është një vajzë e re që ka investuar në tregun e pasurive të paluajtshme në kryeqytet.

Me një investim fillestar 3 mijë euro ajo ka çelur një zyrë të vogël pranë “Komunës së Parisit” për të kryer transaksione shitje-blerjeje-qira të hapësirave për banim dhe biznes.

Zyra e saj oraprojcet.al ka pesë vite në treg.

Askush nuk kundërshton dot faktin se tregu i pasurive të paluajtshme është një fushë shumë fitimprurëse, pavarësisht përmasave të ekonomisë së një vendi, sidomos të Shqipërisë që ka potenciale ende të pazhvilluara.

Blerina Duka, oraproject.al

Këtë më konfirmon edhe Duka, e cila shton gjatë bisedës se “Tregu është i egër dhe i pamëshirshëm, sidomos për të vegjlit”.

Duka nga eksperienca që bart në fushën e Pasurive të Paluajtshme vëren se ka një rendje të njerzve për të patur një sipërmarrje sado të vogël në këtë sektor, sepse siç e shpjegon ajo, “njerëzit mendojnë se ky treg të jep shumë fitime, por mbi të gjitha të menjëhershme, pa u munduar fare”.

Rendjen ndaj këtij lloji biznesi e konfirmojnë edhe të dhënat nga tatimet.

Numri aktual i subjekteve të regjistruar si agjensi të pasurive të paluajtshme, dhënie me qera etj, është: 1767, nga të cilat aktive 910, pasive 657, kërkesë për çregjistrim 137, të çregjistruar 54. Në harkun kohor të katër viteve 2014-2018 rezultojnë 221 regjistrime të reja të zyrave të pasurive të paluajtshme. Dhe vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë regjistruar 250 sipërmarrje të tilla.

Por edhe kërkesat për ta vendosur në status pasiv aktivitetin, apo për ta falimentuar tregojnë sipas ekspertëve që tregu është mjaft konkurues dhe ka rregulla të qarta për të patur sukses, mbi të gjitha kërkon durim, thonë ata.

Por sigurisht ka edhe problematika, “që shpesh rolin e agjenit mund ta marrë çdokush. Ndaj jo në pak raste, blerës të ndryshëm kanë vuajtur edhe shumë histori mashtrimi.Pastaj sigurisht janë zyrat e mëdha që konkurojnë në këtë treg, si me burimet njerëzore, pronat që disponojnë, kontaktet e miqësisë etj.”- shpjegon Blerina, e cila pavarësisht se ka një zyrë të vogël dhe 5 vite në treg, portofolin e transaksioneve e ka në rritje çdo vit dhe madje këtë vit ka afruar në ortakëri një person tjetër për ta shpënë punën e saj në një tjetër nivel.

Sektori i Pasurive të Paluajtshme është një nga tre sektorët që ka shpëtuar ekonominë në tremujroin e dytë të vitit, i cili ka rezultuar me 8,01 % rritje kundrejt të të njëtit tremujor të një viti më parë.

Juliana Nela nga RE/MAX pohon për Gazetën Si se sektori imobiliar në Shqipëri ka marr një zhvillim të konsiderueshëm në vitet e fundit edhe për shkak të lejeve të ndërtimit të aprovuara nga Bashkia Tiranë. Lejet e aprovuara, thotë ajo, kalojnë disa herë mesataren e lejeve të dhëna më parë.

Sipas INSTAT në tremujroin e dytë të 2019-ës lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkitë në shkallë vendi u rritën me 15 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të ndara sipas kategorive sipas llojit të lejes së dhënë, e 194 nga 310 lejet e dhëna janë për banesa. Nga 194 lejet, 136 janë leje për ndërtesa me tre ose më shumë kate. Lejet për ndërtesa jorezidente janë 116, të ndara kryesisht në fabrika, hotele dhe dyqane.

Juliana Nela, RE/MAX Albania


“Sigurisht që rritja e stokut në një ekonomi në krize dhe në kushtet e emigracionit aktual kërkon rritjen e ekspertizes në shitje.”- thotë Nela duke shtuar se “Ndërmjetësimi imobiliar është një aktivitet shumë i zhvilluar në botë. Tendenca është drejt markave të njohura, pasi garancia e kërkuar nga klientët në rastin e investimit në Real Estate është e lartë.”

Megjithatë, shpjegon ajo, këtë vit në Shqipëri ka ndodhur fenomeni i hapjes së shumë zyrave imobiliare dhe konkurrenca është rritur në mënyrë të padiskutueshme.

Dritan Leka, Century 21

Edhe sipas Dritan Lekës nga Century 21, është e vërtetë që në Shqipëri ky sektor është zbuluar vitet e fundit “kjo dhe si pasojë e rritjes mjaft të madhe të Century 21 Albania (2008) e cila ka shërbyer si shkollë për shumë titullarë agjensishë imobiliare sot. Por tregu ka shumë problematika”

Për Lekën, problematika kryesore është e lidhur me mungesën e rregullimit ligjor për këtë sektor si profesion i lirë financiar; që tek marrëdhëniet me kadastrën, mungesa e marrëdhënies së informacioneve e deri tek pamundësia e mbrojtjes nga klientë të pabindur apo konkurrencës së pandershme.

Megjithatë, thotë Nela e RE/MAX, nëqoftëse do t'i referohemi eksperiencës të vendeve të tjera, “mundësia e mbijetesës së zyrave apo markave lokale është shumë e ulët, së pari për shkak të modelit të biznesit të paprovuar dhe konsoliduar dhe për shkak të mungesës së përkatësisë. Problematikat kryesore lidhen me faktin që sektori i ndërmjetesimit ka mbetur i pazhvilluar për shkak të mungesës së operatorëve seriozë. Po ashtu është edhe reputacioni që kanë zhvilluar disa nga operatorët e mëparshëm në treg, ndaj duhet punë shumë e kujdesshme që të përmirësohet imazhi i Agjentit Imobiliar.”
RE/MAX është kompania imobiliare nr. 1 në botë prej shume vitesh në termat e pronave të shitura si në vlerë ashtu edhe në numër.

Gjithashtu RE/MAX prej disa vitesh është në listën e TOP 5 Franshizave më të njohura në rang global.

Në Shqipëri, RE/MAX është i pranishëm nga viti 2008. Grupi i ri investitor e ka marrë të drejtën në 2018-ën dhe prej më shumë se 1 viti po investon në rritjen e njohjes së markës dhe përmirësimin e shërbimit per t'u barazuar me kolegët në gjithë botën.
RE/MAX Albania, ka kaluar 1.000 transaksione në vit.

Kurse Century 21 Albania ka nisur aktivitetin ne vitin 2008 dhe ka njohur një zhvillim të madh pas vitit 2013 kur marka u ble nga drejtuesit e sotëm.

Sistemi i Century 21 Albania rritet çdo vit me mbi 10% duke kryer në mbi1000 transaksione qiraje dhe mbi 500 transaksione shitjeje në vit.

Sipas Lekës së Century 21, në këtë treg do të mbijetojnë vetëm ato agjensi imobiliare që funksionojnë si të tilla dhe që do të rriten me frymën e rregullave dhe konkurencës së ndershme. “Ka shumë emra ndërkombëtarë apo dhe marka shqiptare të cilat po ndikojnë shumë në zhvillimin e këtij tregu.”- thotë ai.

Për Dukën tregut i mbijeton ai që di të fitojë besimin e klientit, ai që përkushtohet 100% dhe është korrekt me klientelën.

Për Lekën, nisur dhe nga momentumi ku gjendet vendi ynë, parashikohet një e ardhme mjaft e mirë për këte sektor. “Shqipëria është pa dyshim një perlë e rajonit dhe si e tillë interesi për të investuar rritet çdo vit. Me futjen edhe në BE, shumë barriera do të hiqen dhe ne do të jemi një nga vendet më interesante për të investuar në rajon.”- thotë ai.
Për Nelën e RE/MAX në 10 vjeçarin e ardhshëm tregu do të konsolidohet për t'ju përgjigjur edhe formalizimit të ekonomisë. Për më tepër, shton ajo, rritja e profesionalizmit të agjentëve imobiliarë të trajnuar, do të rrisë besimin dhe bashkëveprimin e klientëve.

Tregu global i pasurive të paluajtshme

Tregu global i pasurive të paluajtshme sipas Real Estate Market Size 2018 ka është rritur me 8,9 trilion dollar në vitin e kaluar, krahasuar me 8,5 trilion dollar në 2017-ën.
Sipas Will Robson kërkues tregu dhe drejtor i MSCI nëse nuk do të kishte pasur luhatje të kursit të këmbimit në treg, tregu i pasurive të paluajtshme do të ishte vlerësuar 2,6 % më lartë ose 9,1 trilion dollar.

Tregu global i pasurive të paluajtshme pritet të gjenerojë të ardhura prej 4.263.7 miliardë dollarë deri në vitin 2025, sipas një raporti të ri nga Grand Vieë Research, Inc. Faktorë të tillë si kërkesa në rritje për strehimin, urbanizimi i shpejtë përmes migrimit në kërkim të një jetese më të mirë. Zhvillimi i shpejtë ekonomik në rajonet në zhvillim dhe vendet si India, Kina dhe shumë vende afrikane ka rritur nivelet e të ardhurave dhe ka ndihmuar tregun e pasurive të paluajtshme.

Tregu i pasurive të paluajtshme përfshin blerjen, shitjen dhe marrjen me qira, të pronave dhe apartamenteve për përdorim shtëpiak tregtar dhe personal. Biznesi i pasurive të paluajtshme tregtare është rritur në mënyrë eksponenciale në dekadën e fundit për shkak të rritjes së numrit të lojtarëve kryesorë që hyjnë në tregun rajonal gjithashtu. Reformat e qeverisë, qiraja më e ulët, normat e hipotekave në vendet në zhvillim ka të ngjarë të rritin tregun gjatë periudhës së parashikimit deri në 2025.

Sipas Kombeve të Bashkuara, afro 50% e popullsisë jeton në zona urbane dhe kjo shifër parashikohet të arrijë deri në 65% deri në 2025-ën për shkak të migrimit në qytete që shndërrohen në megaqytete me komoditete urbane dhe stil jetese të preferuar.

MSCI Inc. MSCI, -0.70%, një ofrues kryesor i indekseve dhe ndërtimit të portofolit dhe mjeteve dhe shërbimeve të administrimit të rrezikut për investitorët globalë, në Raportin vjetor për Tregut e Pasurive të Paluajtshme vlerëson madhësinë e tregut global të investimeve në këtë sektor se janë menaxhuar profesionalisht . Gjetjet tregojnë se tregu u rrit me 15 përqind, nga 7.4 trilion dollarë në vitin 2016 në 8.5 trilion dollarë në 2017.
Raporti detajon ndryshime të dukshme në madhësinë e 25 tregjeve në të gjithë globin, siç përmbahet në Indeksin Global vjetor të pasurive vjetore të MSCI të MSCI, si dhe shtatë vende të tjera që bëjnë pjesë në Indeksin Vjetor të Pronave Vjetore Pan-Azi të MSCI-së.

Madhësia e tregut të pasurive të apluajtshme në disa vende

Tregu i Pasurive të Paluajtshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaniështë rritur për më shumë se 100 miliardë dollarë gjatë 2017-ës, kryesisht për shkak të mbiçmimit të monedhës, me euron që u rrit me 14 përqind kundrejt dollarit amerikan (USD) në 2017. Paundi Britanik u forcua gjithashtu nga 9 përqind kundrejt dollarit, në kontrast me vitin 2016 kur paundi u zhvlerësua me 16 përqind si rezultat i votimeve për Brexit.

Gjermania zëvendësoi Kinën si tregun e katërt më të madh. Gjermania përjetoi një rritje të konsiderueshme në tregun e saj të pasurive të patundshme dhe kapërceu Kinën që e kishte mbajtur këtë pozitë për dy vjet (2015 dhe 2016). Edhe pse të dy tregjet u rritën në vitin 2017, rritja e Gjermanisë ishte proporcionalisht më e madhe.

Zvicra dhe Suedia kanë madhësitë më të mëdhe relative të tregut të investimeve të pasurive të paluajtshme në Europë, të matura me raportin e madhësisë së tregut me PBB-në. Sidoqoftë, Norvegjia, vendi i dytë më i pasur në Europë për sa i përket PBB-së për frymë, bie pas disa prej fqinjëve të saj Nordikë në madhësinë relative të tregut të pasurive të paluajtshme.
Madhësia e tregut të Spanjës u rrit 39 përqind, e nxitur nga një ndikim në monedhë prej 14 përqind për shkak të mbiçmimit të euros ndaj dollarit, 9 përqind të rritjes së vlerës së kapitalit dhe një ndikimi të mbetur prej 14 përqind.

Tregu i Pasurive të Paluajtshme ka rezultuar me ulje në Sh.B.A pas shtatë viteve të njëpasnjëshme rritjeje. Megjithëse Sh.B.A-të mbeten tregu më i madh në vitin 2017, pjesa e tij në indeksin e 25 vendeve u ul nga 42.1 përqind në 40 përqind në Indeksin Global të Pasurive Vjetore të IPD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë