Kinema

Ilir Rexhepi, aktori shqiptar i roleve kryesore në filmat gjermanë

Aktori shqiptar Ilir Rexhepi, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Gjermani. I lindur për të qenë pjesë e artit, profesionistët e fushës kanë spikatur talentin e tij që në fëmijëri. Pasioni për të qenë pjesë e skenës dhe artit e bëri atë që depërtonte dhe të korrte sukses si aktor edhe në kinematografinë gjermane.
Aktori kosovar, Ilir Rexhepi ka vazhduar me rolet e ndryshme nëpër seriale televizive. Seriali i radhës në të cilin Rexhepi ka marrë pjesë mban titullin “Der Zurich Krimi”, një serial që bën fjalë për ngjarje të ndryshme kriminale që kryesisht zhvillohen në Zvicër. Filmi është një bashkëprodhim i produksioneve filmike gjermane, zvicerane dhe çeke ndërsa transmetohet në prime-time në shumë televizione të ndryshe në Evropë e me gjerë.
“Ky film daton që në vitin 2016. Është produksion gjermano-zviceran dhe Australian. Është një serial televiziv që ka në fokus krimin. Është një ngjarje interesante për një avokat zviceran i cili merret me disa hetime. Kësaj radhe ka ndodhur që ai të merret edhe me një ngjarje që lidhet me shqiptarët prandaj edhe ka zgjuar kureshtjen tuaj andej. Kësaj radhe janë trajtuar edhe shqiptarët”, shprehet ai.
Ilir Rexhepi, është aktor i brezit të ri të aktorëve kosovarë. Mbaroi studimet për aktor në Akademinë e Arteve të Univerisitetit të Prishtinës në klasën e prof. Enver Petrovcit dhe prof. Faruk Begollit, të njohur si ndër aktorët më të famshëm në ish-Jugosllavi dhe në Ballkan.
Angazhimet teatrale i fillon në Teatrin Dodona në Prishtinë, i cili në atë kohë ishte Teatri më i shikuar në Kosovë për të filluar më vonë një karrierë të suksesshme në kinematografi dhe televizionet gjermane si RTL, ZDF, BR, SAT1, ARD etj.
Krahas angazhimeve kinematografike dhe ne teatër ka shkruar edhe skenarë filmi dhe dramë. Në fëmijëri merrej me shkrime letrare, prezantim, aktrim dhe me gazetari që kryesisht shkruante për Kulturën, Filmin dhe Teatrin.
Që në moshën 12-vjeçare ka bashkëpunuar me shumë gazeta dhe mediume publike, si: Rilindja, Gep, Pionieri, Zëri, Alternativa, Bujku, Bota e re, Radio Ferizaj, Radio Prishtina, Televizioni i Prishtinës etj. Është autor i përmbledhjes me poezi “Mirëmëngjesi Republikë” e botuar në vitin 1992. /diasporashqiptare


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë