Analize

‘’Ilaçi çudibërës” i Trump nuk po jep efekt

Një ilaç anti-malarie që Presidenti Trump e promovoi me forcë, për të trajtuar Covid-19 nuk ka sjellë asnjë përfitim dhe lidhet ngushtë me normat e larta të vdekjes për pacientët e veteranë të luftës të shtruar në spital me koronavirus , sipas një studimi, duke ngritur dyshime të mëtejshme në lidhje me sigurinë dhe efektshmërinë e një trajtimi që ka patur përdorim të gjerë gjatë pandemisë.

Studimi i kryer nga VA (Veteran Affairs) dhe kërkuesit akademikë analizoi rezultatet e 368 pacientëve meshkuj në mbarë vendin, me 97 pacientë të trajtuar me hidroksilklorine, 113 me hidroksilklorine të kombinuar me azitromicine, dhe 158 që nuk u trajtuan me hidroksilklorine. Studimi zbuloi se shkalla e vdekshmërisë te grupet e trajtuara me këtë medikament ishte më e lartë se te ata që nuk e përdorën. Gjithashtu, studimi tregoi se më shumë se 27 përqind e pacientëve të trajtuar me hidroksilklorinë vdiqën, dhe 22 përqind e atyre që u trajtuan me terapi kombinuese vdiqën, krahasuar me 11.4 përqind të atyre që nuk u trajtuan me ilaçet. Rezultatet erdhën nga një studim vëzhgues i rezultateve dhe nuk ishin pjesë e një studimi rastësor me placebo, e cila është standardi i artë për testimin e barnave. Studimi u botua në faqen medrxiv.org, një ‘’vendtakim’’ për studime akademike mbi koronavirusin që ende nuk janë vlerësuar në mënyrë shkencore dhe akademike ose nuk janë botuar në revista akademike.

"Rritje e vdekshmërisë së përgjithshme u identifikua te pacientët e trajtuar vetëm me hidroksilklorinë," theksojnë autorët, të cilët janë të lidhur me Universitetin e Virxhinias, Universitetin e Karolinës së Jugut, dhe sistemin VA në Columbia. "Këto zbulime theksojnë rëndësinë e pritjes së rezultateve të studimeve të ardhshme, të rastit, të kontrolluara përpara se të miratohen këto mjekime. " Pandemia e koronavirusit ka prekur globin më shpejt sesa shkenca mund t'i përgjigjet. Nuk ekziston ndonjë vaksinë ose trajtim i miratuar për të luftuar përhapjen e saj ose për të lehtësuar simptomat e rënda të frymëmarrjes që ka marrë mbi 175,000 jetë në të gjithë botën.

Në disa raste, shpresa ka prevaluar mbi provat përgjatë nxitimit në mbarë botën për të gjetur masat parandaluese e shëruese. Spitalet dhe mjekët në të gjithë botën kanë përdorur klorinë dhe  hidroksilklorine, shpesh në kombinim me azitromicinë, bazuar në idenë që mund të ndihmojë, pavarësisht mungesës së provave bindëse se ilaçi mund të ndihmonte pacientët të përmirësoheshin ose të eliminonin virusin nga trupi i tyre. Interesimi për këtë medikament arriti kulmin pasi Trump filloi të këshillonte përdorimin në konferencat për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Ai mori si referencë një studim francez, që ka qenë nën vëzhgim për mënyrën e dobët të gjykimit dhe metodat e diskutueshme. Në një vendim që nuk përmend asnjë aspekt pozitiv, Administrata e Ushqimit dhe e Barnave lëshoi ​​një autorizim për përdorimin e këtij medikamenti në raste urgjence.

Por rreziqet e këtyre medikamenteve për të trajtuar pacientë të caktuar me koronavirus po bëhen gjithnjë e më të dukshme, veçanërisht kur hidroksilklorina përdoret në kombinim me azitromicinën. Rreziku i vogël i vdekjes nga shkaqe kardiake nga këto ilaçe për pacientët buron nga një efekt anësor i mirënjohur: Ata zgjasin kohën që kërkohet që zemra të rimarrë veten nga njëra rrahje në tjetrën, e quajture intervali QT. Duke përmendur fenomenin, një panel i Shoqatës së Sëmundjeve Infektive të Amerikës, pasi përmendi rreziqet, këshilloi me forcë që kombinimi i barnave duhet të realizohet vetëm gjatë testeve klinike . Ai përmendi mungesën e provave që ilaçi funksionon. Udhëzimet e trajtimit shprehen se "siguria e përgjithshme e provave ishte shumë e ulët."

Agjencia Kombëtare Franceze e ngarkuar me sigurinë e medikamentit raportoi se 43 pacientë që u trajtuan me hidroksilklorinë ose një kombinim të ilaçeve dhe azitromicinës pësuan efekte anësore të lidhura me zemrën dhe u konstatuar rreth 1 – 4 vdekje. Agjencia deklaroi që ilaçet duhet të jepen vetëm për pacientët që janë shtruar në spital me covid-19, sëmundja që shkakton koronavirusin. Studiuesit në Brazil ndërprenë një pjese të provave klinike me doza të larta të klorokinë te pacientët me covid-19, pasi ata shfaqën probleme me zemrën dhe pësuan vdekshmëri më të lartë.

Një ekip studiuesish në Qendrën Mjekësore Langone të Universitetit të Nju Jorkut zbuluan se, nga 84 pacientë të trajtuar me kombinimin e hidroksilklorinës dhe azitromicinës, 11 përqind kishin interval të QT përtej 500 milisekondave – shifra që shkaktojnë vdekje të papritur kardiake. Tridhjetë përqind e pacientëve në përgjithësi kishin rritje të konsiderueshme intervalit QT të zemrës së tyre.

Lior Jankelson, një studiues kryesor në studimin Langone, tha se rreziku e bën shumë të pakëshillueshëm që njerëzit të marrin ilaçin si një parandalim ose nëse nuk kanë rezultuar pozitiv për Covid-19.

"Nëse nuk vërtetohet se pacienti është i sëmurë, atëherë unë mendoj se nuk mund të justifikohet rreziku që lidhet me këtë medikament” tha ai në një intervistë. "Kjo është një situatë me të vërtetë ekstreme ... ku janë qindra mijëra, ndoshta më shumë, njerëz që marrin një kombinim të njohur që zgjat intervalin QT në një situatë me rrezik të lartë," tha ai.

Në spitale, mënyra për të menaxhuar rrezikun e efekteve anësore fatale është me monitorimin e elektrokardiogramit, sipas specialistëve. Por edhe kontrolli i përparuar me EKG-së mund të mos zvogëlojë rrezikun. Studimi i NYU Langone tregoi se intervali ekzistues i QT nuk parashikonte një rritje të mëvonshme QT nga përdorimi i medikamenteve. Mosfunksionimi i veshkave ishte një faktor më i madh rreziku - duke treguar që pacientët më të sëmurë kanë rrezik më të madh të efekteve anësore të rrezikshme nga ilaçet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë