Politike

Iku “peshkaqeni”, por Maqedonia arreston “peshqit e mëdhenj”

Edhe pse “peshkaqeni” arriti të arratisej, autoritetet maqedonase kanë arrestuar, dy “peshqit e mëdhenj të korrupsionit”: ish ministrin e Transportit Mile Janakievski dhe ish-sekretarin e Qeverisë Kirill Bozhinovski.

Kryeprokurorja speciale Katica Janeva konfirmoi lajmin duke deklaruar se dy të arrestuarit u dërguan në burgun e Shuto Orizarit. Pas ndalimit të tyre nga policia, Gjykata Themelore e Shkupit vendosi se Janakieski dhe Bozhinovski duhet të mbahen nën masën e paraburgimit 30-ditor, mes spekulimeve se mund të arratisen si “mentori i tyre politik”.

Janakievski akuzohet në dy dosje gjyqësore të hartuara nga Prokuroria Speciale, ndërsa Bozhinovski akuzohet për parregullsi zgjedhore në dosjen e koduar “Titanik”.


Mile Janakievski

Arrestimi i dy zyrtarëve të lartë të qeverisë “Gruevski” erdhi pasi vetë ish-kryeministri i shpëtoi burgut duke u arratisur për në Budapest, ku edhe ka kërkuar azil politik. Pak orë para arrestimit, ish ministri Janakievski ka dënuar fuqishëm largimin e Gruevskit nga vendi, duke deklaruar se kjo do të ndikonte negativisht tek proceset gjyqësore ndaj tij.

“Dënoj fuqishëm një akt të tillë, sepse do të ndikojë në mënyrë negative në proceset gjyqësore në tërësi, posaçërisht në ato procese ku jemi të akuzuar të gjithë së bashku”, ka thënë Janakievski.

Ai është munduar të qetësojë opinionin publik, duke thënë se nuk planifikon të arratiset nga Maqedonia, por kjo duket se nuk ka qenë e mjaftueshme për policinë maqedonase.

Janakieski është nën hetim për rastin ‘Talir’ dhe atë ‘Titanik’ dhe ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.  Rasti ‘Talir’ në Maqedoni ka si të akuzuar kryesor vetë Gruevskin dhe ish-ministrin. Ata akuzohetn për financim të paligjshëm të partisë dhe për pastrim parash.

Prokuroria maqedonase i akuzon personat e përfshirë në këtë aferë, se kanë pastruar këto para që nga vitit 2009-2015. Dosja e dytë, e koduar me emrin “Titanik”, është “arma më e rëndë” që autoritetet kanë patur në dorë kundër ish-kryeministrit.

Ajo akuzon Gruevskin dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë në VMRO DPMNE për mashtrim gjatë zgjedhjeve në vitin 2013.

Në këtë rast, edhe vetë Janakueski akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, ku përballet me një dënim nga një deri në pesë vjet burg; shpërdorimin e aseteve gjatë një fushate zgjedhore, për të cilën dënimi më i ulët është pesë vjet dhe shkeljen e lirisë së zgjedhësve, me një dënimi minimal prej tre vitesh burg.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë