Trend

Ikona Lady Gaga vjen me linjën e saj të Makeup-it

Fansat që janë duke pritur që ikona e muzikës, Lady Gaga, të zotërojë edhe botën e makeup-it, nuk do u duhet të presin edhe shumë gjatë, pasi këngëtarja do të lançojë linjën e saj ‘Haus Laboratories’ këtë shtator. Në një intervistë ekskluzive për ‘Business Fashion’, artistja tha se koleksioni që pritet të dalë në shtator do të përmbajë kuti makeup-i që do të kenë brenda shkëlqyes buzësh, laps buzësh dhe shumë produkte të tjera. Dhe sigurisht kur bëhet fjalë për një mbretëreshë si Lady Gaga s’kanë si të mungojnë një larmi ngjyrash nga më të guximshmet.
“Ngjyra është komplet transformuese”, u shpreh ajo gjatë intervistës. “Është e fuqishme dhe e bukur, dhe është mënyra se si unë gjeta zërin tim me anë të makeup-it”.

Këngëtarja ka dhënë shenja për krijimin e kësaj linje për gati një vit. Ajo fillimisht tha emrin e markës në shkurt të vitit 2018. Në fillim të kësaj jave, llogaria e tyre në instagram @hauslabs publikoi disa foto të Lady-t Gagës duke përdorur produktet e linjës, gjë e cila e bëri rrjetin të ziente nga kjo surprizë.
Në një video të realizuar nga Daniel Sannwald, e cila u publikua ditën e djeshme, mund të shohim më qartë përdorimin e ngjyrave të ndritshme dhe xixave. Videoja shoqërohet me një këngë të Gaga-s në bashkëpunim me Bloodpop, Tchami and Boys Noize.
Akoma nuk ka asnjë informacion mbi çmimet apo se sa kuti do jenë në lançimin e parë, por ‘Haus Laboratories’ do mundemi ta gjejmë në faqen e ‘Amazon’.
Fansat e zjarrtë të këngëtares, të cilët nuk mund të presin derisa të mbarojë vera, do të kenë mundësinë t’i porosisin produktet në faqen zyrtare të ‘Haus Laboratories’ më 15 korrik, në orën 12:00.

https://youtu.be/SCM2lWePOnw

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë