Politike

Ikën ministrat e “paprekshëm” dhe të akuzuar nga PD

Prej muajsh përflitej se do të kishte ndryshime në qeveri, madje në Asamblenë e muajit shtator ministrat i shpëtuan largimeve, pasi kryeministri vendosi që t’i shtynte në kohë. Sot Rama me një lëvizje të tij shkaktoi një tërmet me ndryshimet në qeveri, duke lëvizur ministrat më të vjetër që cilësoheshin edhe si të “paprekshëm” dhe që drejtonin sektorët më të rëndësishëm. Të tillë ishin ministrat me mandat 5-vjeçar në kabinetin “Rama” si Niko Peleshi, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, që njiheshin si bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit, si dhe të Mirela Kumbaros dhe të Lindita Nikollës.
Kryeministri gjatë fjalës së sotme në Asamble deklaroi se do të largoheshin ministrat që kanë mandat 5-vjeçar, por “shpata” preku edhe zv.kryeministren Senida Mesi dhe ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qaton. Të gjithë të larguarit nga qeveria janë deputetë të PS-së, duke përjashtuar vetëm ish-ministren Sonila Qato.
Që të dyja janë të vetmet nga kabineti qeveritar që u larguan dhe që mbajtën këto poste vetëm gjatë mandatit të dytë të “Ramës”, pra as një vit qëndrimi në detyrë. Pesë nga ministrat e larguar janë edhe anëtarë të Kryesisë së PS-së.


Arben Ahmetaj, kryefinancieri i akuzar për PPP-të
Ahmetaj ishte njeriu që mbajti për katër vite financat e shtetit shqiptar. Fillimisht ai u emërua në mandatin e parë të qeverisë së kryeministrit Edi Rama si ministër i Zhvillimi Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Këtë detyrë e mbajtur nga shtatori 2013 deri në shkurt të vitit 2016. Pasi kryeministri Edi Rama do të largonte Shkëlqim Canin nga posti i ministrit të Financave, duke e emëruar në vend të tij, Arben Ahmetaj. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve në kohën e qeverisjes së kryeministrit Nano, do të zgjidhej deputet i PS-së në vitin 2009, duke qenë përfaqësues i qarkut të Korçës. Në vitin 2013, u emërua si drejtues politik i qarkut Gjirokastër, duke u zgjedhur si deputete i kësaj zone. Ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare ai u zgjodh si deputet i qarkut të Tiranës. Ahmetaj ka qenë i akuzuar nga opozita sa i përket çështjes së dhënies së PPP-ve, siç njihet ndryshe dhënia e koncesioneve. Gjithashtu akuza më e fundit është ajo e privatizimit të truallit në zonën e ish-serave në Tiranë, pranë Unazës së Re, ku parashikohet ndërtimi i një kompleksi pallatesh në vlerën e 60 milionë eurove. Opozita akuzoi se është favorizuar biznesmenin pranë qeverisë së majtë, duke i blerë këtë truall në vlerën e 1,5 milonë eurove.

Rama dhe Ahmetaj/ Foto arkiv/LSA


Për njeriun kyç që ka mbajtur financat shqiptare, kryeministri nuk ngurroi që të jepte vlerësimet për punën që ka bërë. “Arben Ahmetaj ka një rol absolut në gjithçka që lidhet me shifrat domethënëse, faktet domethënëse që për fat të keq e humbasin domethënien në vorbullën e kazanit dhe acarimin legjitim që kanë njerëzit. Nëse sot shifrat janë të atilla që Shqipëria pati një sukses në tregjet e kapitaleve në botë me Eurobondin, merita kryesore i takon ministrit të Financave”, do të theksonte Rama në fjalimin e tij në Asamble.

Ditmir Bushati, kryediplomati 5-vjeçar
Mund të jetë kryediplomati më jetëgjatë në ndonjë qeverisje pas regjimit komunist. Ditmir Bushati ishte një prurje e re në PS-në e re të Edi Ramës, pas largimit të atyre që u cilësuan si “xhaketat e vjetra” në këtë parti. Fillimisht do të zgjidhej për dy mandate si deputet i qarkut të Tiranës, e më pas do të ishte që nga viti 2011 anëtar i Kryesisë së PS-së. Me ardhjen në pushtet të socialistëve, Ditmir Bushati do të emërohej në moshën 36-vjeçare si ministër i Jashtëm. Kryeministri do t’i besonte atij qarkun e Shkodrës, si drejtues politik.

“Ditmir Bushati ka pa diskutim merita të pamohueshme në gjithë rrugën e deritanishme, dinamikën e re të politikës së jashtme, reputacionin e vendit në rajon dhe kancelaritë europiane, shërbimet e reja konsullore. Është koha që Ditmiri t’i përkushtohet Shkodrës me kohë të plotë dhe pa diskutim të japë kontributin e vet në Këshillin Kombëtar të Integrimit”, deklaroi Rama në mbledhjen e Asamblesë.

Dy negociatarotët e Paktit Detar, ish-ministrat e Jashtëm, Nikos Kotzias i Greqisë dhe Ditmir Bushati i Shqipërisë

Por opozita e akuzuar Bushatin sa i përket çështjes së negociatave me Greqinë për firmosjen e marrëveshjes së re të Paktit të Detit, e mbetur pezull për shkak të përplasjeve me Presidentin dhe mos dakordësisë me shtetin fqinj. Akuza për shitjen e detit kanë ardhur kryesisht nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërsa një tjetër akuzë e fortë e lëshuar nga opozita në adresën të Bushatit ka qenë ajo e lidhjes me bandën e grupit të fortëve të Shkodrës, “Bajri”.

Damian Gjiknuri, ministri i rrugëve
“Dua të them dy fjalë për Damian Gjiknurin pasi për fat të keq ajo që ka ndodhur së fundmi ka errësuar përkohësisht dhe padrejtësisht të gjithë kontributet dhe figurën e tij. Damian Gjiknuri është ministri që ka lënë një shenjë të pashlyeshme në reformimin rrënjësor të sektorit të energjisë. Pa Damianin ajo reformë do të ishte e pamundur. Askush tjetër ndër ministrat që kam punuar nuk i ka kapacitet e tij drejtuese dhe menaxhuese. Është një investim i padiskutueshëm i PS”. Ky do të ishte vlerësimi i kryeministrit Edi Rama në momentin e komunikimit të shkarkimit “live” të ministrit Gjiknuri gjatë fjalës së Asamblesë së PS-së. Drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, njihet si njeriu më i afërt i kryeministrit. Do t’i bashkohej PS-së në vitin 2005, dhe do të zgjidhej më pas anëtar i Kryesisë së PS-së dhe sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS. Prej disa mandatesh deputet i PS-së, ku fillimisht u zgjodh në qarkun e Elbasanit dhe më pas në qarkun e Vlorës.

Damian Gjiknuri


Dhënia me koncesion e rrugëve, si e Durrës-Morinë apo dhe ajo e Dibrës ka qenë një ndër akuzat kryesore të opozitës në adresë të tij. Ndërsa akuza më e fortë lidhet me tenderin e fituar në lotin e Parë të Unazës së Re të firmës DH Albania, ku rezultoi se kjo firmë kishte dokumentet e falsifikuara të shtetit Delaware në SHBA. DH Albania kishte falsifikuar dokumentet e firmës mëmë të me kompaninë Dunwell Haberman.
Ndërsa kjo firmë rezultoi se fitoi një tender me OST në vlerën 12 milionë eurove, si një kompani fantazmë, guackë. Hetimi për këtë skandal nisi edhe në SHBA. Por Gjiknuri bëri të ditur se është i hapur për t’u hetuar dhe se bëri publike masat për anulimin e tenderit. Për këtë çështje ai ka edhe mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama. “Jam i bindur se edhe historia e majisur politikisht e lotit të Unazës ku një kompani doli me dokumente të falsifikuara do të zbardhet deri në fund dhe do të provojë pafajësinë totale të ministrit. Po punojmë për të marrë garancinë nga kompania e sigurimeve, është rreth 2 mln euro dhe me të do të krijojmë një fond strehimi për banorët që preken nga projektet e punëve publike. Damiani do të vazhdojë të bëjë me përkushtim punën e tij si udhëheqës në qarkun e Vlorës ku nuk diskutohet që do ti fitojmë të gjitha bashkitë”, deklaroi Rama.

Lindita Nikolla, solli rrëzimin e kolegëve
Protesta masive dhe disa ditore e studentëve kundër tarifave në universitete solli natyrshëm largimin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Por se ky largim u shoqërua me një lëvizje të kryeministrit Edi Rama që solli dhe largimin të pothuajse të më shumë se gjysmës së kabinetit qeveritar. Nikolla prej dy mandatesh mbante postin e ministres së Arsimit. Ajo është edhe drejtuese e qarkut Lezhë, si dhe anëtare e Kryesisë së PS-së. Me marrjen e mandatit të dytë të qeverisë, u përfol se ajo nuk mund të emërohej më në këtë post, por kryeministri e vendosi sërish.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e shkarkuar nga kryeministri Edi Rama


Dhe jo më kot, kryeministri shpalli në Asamblenë e PS-së si largimin e parë në qeveri. “Dua ta filloj me Linditën sepse në asnjë mënyrë e vërteta nuk është ajo që duket në këtë moment ku Lindita është vënë në qendër të ciklonit dhe për më tepër nuk dua ta harrojë njeri që askush nuk kërkoi as ndryshimin e qeverisë as ndryshimin e Ministres. Reforma në arsim është një nga reformat më të thella dhe më kuptimplota në adresimin e fundit të tranzicionit. Fola për mësuesit, është pa dyshim meritë e lidershipit të Linditës. Librat, deri dje fëmijët e këtij vendi futeshin në një xhungël librash që ishin ç'edukues, dizinformues, libra mashtrues. 600 tekste u hoqën nga mësuesit. Në Universitet hyhet sipas meritës dhe notës, është sistemi që krijoi Lindita Nikolla. Prej dy vitesh nuk kemi asnjë ankesë. Edhe ligji për arsimin e lartë që sot është bërë shënjestër është ligj që garanton fundin e tranzicionit në arsimin e lartë, na duhet vetëm ta zbatojmë. Është meritë e Lindita Nikollës”, do të shprehej Rama në mbledhjen e Asamblesë. Përveç mandatit të deputetes, Nikolla është anëtare e Kryesisë dhe drejtuese politike e qarkut të Lezhës.

Mirela Kumbaro dhe Niko Peleshi
Mirela Kumbaro do të ishte largimi i radhës nga ministrat e qeverisë “Rama”. Ministrja e Kulturës do të ishte si pjesë e listës së atyre që kanë mandat pesëvjeçar në qeveri. Por duket se debati i fundit për çështjen e prishjes së Teatrit, një mos menaxhim i duhur i kësaj çështje që shkaktoi jo pak polemika solli si duket largimin e saj. “Mirela Kumbaro meriton gjithë respektin për një punë të madhe që është bërë. Trashëgimia kulturore sot është më nën kujdes se asnjëherë tjetër. Të gjitha shifrat e frekuentimeve të gjithë hapësirës kulturore janë në rritje”, theksoi Rama në Asamble. Kumbaro do të vazhdojë të jetë deputete e PS-së, e dalë nga zgjedhjet 2017 në qarkun e Gjirokastrës.

Mirela Kumbaro duke mbrojtur në komisionin parlamentar ndryshimet për ligjin për Teatrin


Motoja e largimit të ministrave 5-vjeçar ka prekur edhe ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshi. Njeriu që dikur ishte kryebashkiaku i Korçës, i zgjedhur nga PS-ja, u caktua në zv.kryeministër në mandatin e parë qeverisës, duke bërë një emërim të bujshëm asaj kohe.
“Niko Peleshi ka qenë një bashkëpunëtor që të gjithë do të donin ta kishin, unë pata fatin që e pata për katër vjet zëvendës/kryeministër. Gjatë këtij viti e pak të mandatit të dytë si Ministër të Bujqësisë”, do të shprehej Rama në Asamble. Tashmë detyra e Peleshit, ashtu si edhe disa prej ministrave të shkarkuar do të jetë drejtimi i fushatës elektorale në qarqet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Qato, detyrë e re te KADASTRA? Mesi, kandidate për Shkodrën


Largimin e Sonila Qatos nga posti i ministres kryeministri Edi Rama e ka motivuar me faktin se ajo do të angazhohet me një detyrë të re të rëndësishme. “Sonila Qaton dua ta falënderoj për punën që ka bërë si Ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Sonila do të lërë kabinetin për t’u angazhuar në një detyrë tjetër shumë të rëndësishme”, do të deklaronte Rama në Asamble. Ndërsa përflitet se Qato pritet të marrë një post drejtues me krijimin e Agjencisë së re të Kadastrës. Nuk dihet nëse ky post do të jetë drejtoresha e Kadastrës, apo në bordin e këtij institucioni.


Ndërkaq lëvizja e radhës e Ramës ishte largimi i Senida Mesit nga posti i zëvendëskryeministres. Ajo u emërua në mandatin e dytë të qeverisë “Rama”. Largimi i saj mund të ishte surprizë, pasi emri i saj nuk përflitej. Por kryeministri siç duket e ka dhënë një mesazh se ajo do të angazhohej për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Senida Mesi, ish-zv.kryeministrja e qeverisë "Rama"

“Falënderoj Senidën për gjithë kontributin e saj. Besoj se ka qenë eksperiencë pozitive e dyanshme. Edhe Senida e kupton shumë mirë që për ne është themelore që ajo dhe Ditmiri dhe të gjithë ata që janë dhe kanë përgjegjësi të ridimensionojnë reputacionin e PS në qeverisjen qendrore në qarkun e Shkodrës të bëhet realitet një orë e më parë”, theksoi Rama. Ndërsa emri i Senida Mesit lakohet si kandidate e mundshme e PS-së për bashkinë e Shkodrës. Lëvizja e radhës do të tregojë nëse Mesi do të jetë kandidate e PS-së për Shkodrën, apo do të vijojë të ushtrojë mandatin e deputetes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë